Deputeti gjerman: Boll me kushte për Shqipërinë, le të hapen negociatat
Në situatën kur grupi parlamentar CDU/ CSU ka vendosur 2 kushte të reja për çeljen e negociatave me Shqipërinë, politikani i Të Gjelbërve, Sarrazin tha, se partia e tij do të japë miratimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Ai e quan zvarritje kushtet e vendosura nga grupi parlamentar dhe sipas tij, BE duhet të tregojë se është një partner i besueshëm dhe të çelë negociatat.

“Ne, Të Gjelbrit, do ta miratojmë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ky vendim vjen i vonuar dhe u vonua vetëm për shkak të taktikës së zvarritjes të disa pjesëve të grupit parlamentar CDU / CSU. Të dy vendet i kanë përmbushur mjaftueshëm kushtet. BE-ja tani duhet të tregojë se është një partner i besueshëm dhe të hapë bisedimet e anëtarësimit në BE”, shprehet eksperti i Evropës Juglindore të Të Gjelbërve, Manuel Sarrazin në një deklaratë për Deutsche Welle-n.

Ai gjithashtu u shpreh se kushtet shtesë të formuluara nga koalicioni për Shqipërinë e tejkalojnë objektivin. Është e papranueshme që Shqipëria çdo vit të duhet të përmbushë kushte të reja për negociatat e anëtarësimit në BE. Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë për një bashkëekzistencë evropiane,” – përmbyll Sarrazin deklaratën për DW.

Kujtojmë se kjo është partia e tretë e cila ka deklaruar se Shqipëra dhe Maqedonia e Veriut meritojnë hapjen e negociatave.


Shtuar më 25/09/2019, ora 15:39

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori