FOTO/ 37-vjeçarja u vra nga motra me thikë, zbulohet motivi i ngjarjes

Tiranë- Amanda Pushani, 37 vjeç u vra me thikë gjatë paradites së djeshme në shtëpinë e saj.

Autore e dyshuar e krimit është e motra, Marsela Pushani, 40 vjeç, e cila u arrestua disa orë pas ngjarjes së rëndë.

Amanda Pushani, viktima
Marsela Pushani, autore e dyshuar e vrasjes

Kur ndodhi ngjarja

Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ndodhi rreth orës 11:40.

Ku ndodhi ngjarja

Amanda Pushani u gjet e pajetë në shtëpinë e saj në rrugën “Hajdar Hidri”.

Çfarë thanë familjarët

Ishte nëna e viktimës ajo që telefonoi ambulancën dhe i tha se e bija nuk ndihet mirë.

Shërbimi mjekësor e gjeti të vdekur 37-vjeçaren ndera gjatë ekzaminimit u vu re që kishte një plagë poshte stomakut.

Fillimisht ngjarja u tentua të fshihej nga familjarët duke u raportuar si vdekje natyrale, por pas hetimeve të thelluara u konstatua se Amanda kishte ndërruar jetë nga goditja me thikë.

Motivi i mundshëm i ngjarjes

Mësohet se 37-vjeçarja pinte shumë alkool dhe kishte zënka të herëpashershme me motrën. Shkak i ngjarjes ka qenë një sherr për motive banale, ku motrat fillimisht kanë pasur një përleshje e cila ka degraduar në përdorimin e thikës.

Çfarë dëshmoi Marsela Pushani në polici

Marsela Pushani, 40 vjeç, ka dëshmuar se motra prej më shumë se 10 vitesh ishte e alkoolizuar dhe kishin debatuar që ajo të linte alkoolin. 40-vjeçarja pretendon se motra kishte marrë thikën dhe e kishte kërcënuar se do ta vriste atë dhe mamanë, për këtë arsye e ka qëlluar me thikë në kushtet e vetëmbrojtjes.

“Nuk kam dashur ta vras motrën, veprova në kushtet e vetëmbrojtjes. Prej më shumë se 10 vitesh ishte e alkoolizuar dhe problematike. Mëngjesin e djeshëm kemi pasur debat pasi i kërkonim që të linte alkoolin. Fillimisht Amanda mori thikën dhe më kërcënoi mua dhe mamanë se do të na vriste. Situata u tensionua dhe veprova në kushtet e vetëmbrojtjes”, ka thënë Marsela Pushani në Polici. 

Njoftimi i plotë i policisë:

Ditën e djeshme, rreth orës 11:40, është marrë njoftim se në rrugën “Hajdar Hidri”, shtetasja A. P., 37 vjeçe, kishte ndërruar jetë dyshohet për shkaqe natyre.

Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe pas konstatimit të trupit të pajetë të shtetases A. P., 37 vjeçe, e cila fillimisht është raportuar si vdekje natyrale nga familjarët, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara në lidhje me rastin, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se shtetasja A. P., 37 vjeçe, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prerës.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen M. P., 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen A. P., e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale./Albeu.com/ 


Shtuar 3.09.2023 09:47