Deputetet kosovare: Duam 28 nëntorin festë shtetërore
Albeu.com
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkuan sot që në Ligjin për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës të hyjnë edhe 28 Nëntori, 12 qershori dhe Dita e të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit.$ Por...Deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkuan sot që në Ligjin për Festat Zyrtare të Republikës së Kosovës të hyjnë edhe Dita e Lirisë – 12 qershori, kur në Kosovë hyrë forcat e NATO-s, Dita e Flamurit Shqiptar – 28 Nëntori dhe Dita e të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e vendit, e cila duhet të caktohet. Megjithatë, pas shqyrtimit të parë, projektligji u miratua në parim me 54 vota për, 6 kundër e 14 abstenime.

Projekligji i proceduar dje nga qeveria parashikon 11 festa shtetërore: ditën e Shpalljes së Pavarësisë - 17 Shkurtin, ditën e miratimit të Kushtetutës – 9 Prillin, ditën Ndërkombëtare të Punës -1 Majin, Ditën e Europës - 9 Majin, festën e Bajramit të Madh, festën e Bajramit të Vogël, Krishtlindjet - 25 dhjetor, Krishtlindjet ortodokse (të sllavëve) - 6 janar, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse.

Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi sot në parim edhe 5 ligje të tjera të nxjerra nga Paketa Ahtisaari: projektligjin për arsimin në komuna, projektligjin për Agjencinë e Kosovës për Shërbimet e Fshehta, atë për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për menaxhimin e integruar dhe kontrollin e kufirit shtetëror dhe projektligjin për strehimin politik.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha sot në mbyllje të seancës se ngarkohet Komisioni ad-hok që për seancën vijuese t’i paraqesë Kuvendit raportin me rekomandime lidhur me shqyrtimin e sotëm të projektligjeve. Seanca e shqyrtimit të dytë të 6 projektligjeve të miratuara sot në parim, do të mbahet nesër.

Gjashtë projektligjet e reja janë grupi i tretë i ligjeve të Paketës Ahtisaari. Grupi i parë prej 9 ligjesh u miratua në Kuvend në ditët e para pas shapalljes së pavarësisë, në shkurt, ndërsa grupi i dytë prej 10 ligjesh u miratua në mars.

Deri tani Kuvendi i Kosovës ka miratuar 19 nga 34 ligjet që dalin nga Paketa Ahtisaari.
Shtuar më 20/05/2008, ora 22:52
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori