Deputetët bëjnë dasmë në Parlament
Albeu.com
Kryeparlamentari Jordanovski thotë se në Parlamentet e shteteve evropiane, punohet deri në ditën kur fillon fushata zgjedhore, duke ftuar deputetët, që të jenë më aktiv me qëllim që të kryejnë obligimet dhe detyrat e nevojshme.nga FEJZI HAJDARI, Lajm
Deputetët e pushtetit dhe opozitës pohojnë se që tani në Parlament ka filluar të ndihet atmosfera parazgjedhore. Në këtë kontekst ata përmendin gjithnjë e më tepër paraqitjet e gjata me plot emocion të deputetëve, nervozizmin e tyre, ndërprerjet e qëllimshme të seancave dhe pauzat e shpeshtuara. Në fakt, ‘veset’ e këtilla të deputetëve së bashku edhe me ndonjë paraqitje të pazakonshme të të zgjedhurve të qytetarëve, kanë qenë pjesë e dekorit të seancave të fundit që kanë karakterizuar Dhomën ligjvënëse. As obligimet që janë pjesë e pakos së reformave për në BE, nuk po i shqetësojnë deputetët deri në nivelin e duhur, sa ata të jenë të pranishëm në Parlament, për t’u siguruar kuorumi, që është i domosdoshëm për rrjedhën e punimeve. Opozita, për të arsyetuar veten, për mungesën e kuorumit, në mënyrë permanente po akuzon deputetët e partive në pushtet, megjithëse edhe ajo në disa raste është treguar e papërgjegjshme. Kryeparlamentari Lubço Jordanovski, ditë më parë bëri të dituar se në Parlamentet e shteteve të Evropës perëndimore, punohet deri në ditën kur fillon fushata zgjedhore, duke ftuar me këtë rast deputetët, që të jenë më aktiv me qëllim që të kryejnë obligimet dhe detyrat e nevojshme.
Zëdhënësi i LSDM-së, Boris Kondarko, pranon se pjesën më të madhe të fajit për mungesën e kuorumit e bartin partitë e koalicionit qeverisës, por në këtë drejtim, sipas tij, nuk duhet të ndjehet komode as opozita, e cila shpeshherë bënë obstruksion.
Deputeti i BDI-së, Rafiz Haliti, thotë se është pothuajse e zakonshme që në prag të fillimit të fushatave zgjedhore, një dozë e madhe e nervozizmit, të jetë i pranishëm te deputetët.
“Përveç kësaj një numër i caktuar i deputetëve kanë filluar më pak të jenë të pranishëm në seanca, madje edhe në ambientet e Parlamentit, ndërkohë që një pjesë e tjetër, varësisht nga strategjitë partiake, kanë shpeshtuar aktivitetin e përgjithshëm në Parlament”, shpjegon nënkryetari i BDI-së.
Edhe deputeti i PDSH-së, Zudi Xhelili, ka konfirmuar praninë e atmosferës parazgjedhore në Parlament, por, ai është i mendimit se qytetarët do të jenë ata që do të vlerësojnë punën e tyre.
“Është mirë që deri në fund të mandatit, Qeveria dhe Parlamenti, me përgjegjësinë më të madhe, të kryejnë pjesën e mbetur të obligimeve“, tha Xhelili.
Me gjithë gatishmërinë verbale të deputetëve për të punuar dhe kryer obligimet e tyre deri në fund, të gjithë pajtohen se intensiteti i punës së të zgjedhurve të popullit ka shënuar rënie. Intensitetin e këtillë të ulët, opozita po përpiqet ta kapitalizojë me anë të taktizimeve të caktuara të deputetëve.
Shtuar më 27/03/2006, ora 16:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori