“Sa më shpejtë të dështojë Putini, aq më mirë për Ukrainën”, Johnoson i jep zemër popullit ukrainas nga Kievi

Ish-kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson udhëtoi dje drejt kryeqytetit ukrainas, Kiev.

Përpara se të takohej me presidentin ukrainas, Johnson vizitoi periferitë e Kievit.

Ai tha se ishte “privilegj” të vizitonte Kievin, me ftesë të presidentit. Johnson u prit nga Zelensky dhe ministra të tjerë ukrainas në Kiev.

“Mirëpres Boris Johnson, një mik i vërtetë i Ukrainës, në Kiev. Boris faleminderit për mbështetjen tuaj”, shkroi Zelensky në Telegram për vizitën e Johnson në Kiev, raporton BBC.

Ai vizitoi gjithashtu qytetet Bucha dhe Borodyanka, në veriperëndim të Kievit, të cilat u pushtuan nga forcat ruse në mars të vitit të kaluar.

Johnson tha se vuajtjet e popullit të Ukrainës duhet të mbarojnë dhe se luftës duhet ti jepet fundi.

“E vetmja mënyrë për t’i dhënë fund kësaj lufte është që Ukraina të fitojë -dhe të fitojë sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Johnson.

“Ky është momenti për të dyfishuar dhe për t’u dhënë ukrainasve të gjitha mjetet që u nevojiten për të përfunduar punën. sa më shpejt të dështojë Putini, aq më mirë për Ukrainën dhe për të gjithë botën“, tha ish-kryeministri britanik gjatë vizitës më Kiev./Albeu.com/ 


Shtuar 23.01.2023 08:44