Zbulohen dy sera me 610 fidanë kanabis në Krujë, në kërkim babë e bir

Dy sera me 610 fidanë kanabis janë gjetur këtë të enjte në Krujë.

Uniformat blu bëjnë me dije se serat me kanabis janë gjetur në fshatin Shkozë e Bardhë . Për pasojë janë shpallur në kërkim autorët e dyshuar (babë e bir), ndërsa është proceduar penalisht kryeplaku I fshatit për shpërdorim detyre.

Policia njofton se pjesa më e madhe e fidanëve u asgjësua me anë të djegies, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policise 

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 autorët e dyshuar (babë e bir). Procedohet penalisht kryeplaku i fshatit, për shpërdorim detyre.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në zbatim të planit të masave për kontrollin e territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, bazuar dhe në inteligjencën informative, kanë vijuar kontrollet në territorin e fshatit Shkozë e Bardhë, në njësinë administrative Thumanë, Krujë.

Gjatë operacionit policor të koduar “Shkoza e Bardhë”, si rezultat i kontrollit të ushtruar në afërsi të banesës së shtetasve E. R. dhe D. R. (babë e bir), u zbuluan 2 sera në të cilat u gjetën të kultivuar në kubikë, 610 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Pjesa më e madhe e tyre u asgjësua me anë të djegies, ndërsa pjesa tjetër u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve, në vijim të veprimeve për këtë rast, kanë shpallur në kërkim shtetasit E. R., 66 vjeç dhe D. R., 38 vjeç, pasi gjatë kontrollit që ka ushtruar Policia, ata nuk janë gjetur në banesë.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. M., me detyrë kryeplak i fshatit Shkozë e Bardhë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.

/albeu.com/


Shtuar 13.04.2023 11:43

Tags: ,