Ne kemi nevojë për një ndryshim të regjimit në Rusi, por si mund të ndodhë kjo?

Nga Joseph Bosco “The Hill

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Për hatër të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë më në pushtet!”. Këto ishin fjalët e presidentit amerikan Joe Biden në Varshavë të Polonisë, vetëm 1 muaj pasi Vladimir Putin dërgoi forcat ruse në Ukrainë për herë të dytë që nga pushtimi në vitin 2014 i Ukrainës Lindore dhe Krimesë.

Megjithatë, siç ndodh shpesh me pasthirrmat e Biden (si 4 deklaratat e tij publike ku angazhohej se Amerika do të mbrojë Tajvanin), zyrtarët e administratës nxituan të sqaronin se presidenti nuk po shpallte një politikë të re të SHBA-së.

“Qëndrimi i presidentit ishte se Putini nuk mund të lejohet të ushtrojë pushtet mbi fqinjët e tij apo rajonin. Ai nuk e kishte fjalën tek pushteti i Putinit në Rusi, apo ndryshimin e regjimit atje”- shpjegoi një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë.

Ishte e njëjta garanci mbi vazhdimësinë e regjimit që administratat amerikane u japin në mënyrë rutinore tiranëve të botës, në emër të shmangies së provokimeve dhe përshkallëzimit, pavarësisht sa i tmerrshëm ishte trajtimi i popullit të tyre apo se sa agresive ishte sjellja e tyre ndaj fqinjëve apo Shteteve të Bashkuara.

Kjo mund të quhet sindroma e kundërt e Irakut. Përmbysja e Sadam Huseinit pas pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003, shihet gjerësisht si një gabim i madh i politikës së jashtme të administratës së George W.Bush.

Dhe kjo pavarësisht luftërave të shumta të Sadamit kundër vendeve të tjera; nxitjes prej tij të aktiviteteve terroriste; persekutimit kriminal ndaj popullatës së tij, sidomos pakicave etnike; dhe zhvillimin e hershëm të armëve të shkatërrimit në masë, të cilat ai me sa duket i kishte braktisur në kohën e pushtimit të SHBA-së.

Që nga komenti i përgënjeshtruar i Biden mbi ndryshimin e regjimit, që të kujton deklaratën Obama-Biden se Bashar Al-Assad i Sirisë “duhet të largohet”, Putini vetëm sa e ka zgjeruar pushtimin e tij brutal të Ukrainës.

Diktatori rus akuzohet për kryerjen e krimeve të luftës, vrasjen e qindra mijëra ushtarëve ukrainas dhe rusë si dhe mijëra burrave, grave dhe fëmijëve ukrainas, zhvendosjen e miliona të tjerëve dhe shkatërrimin e shumë qyteteve historike. Që të gjitha në një përpjekje sistematike për të zhdukur kulturën, gjuhën dhe identiteti kombëtar të Ukrainës.

Pas mizorive të fundit të Putinit – bombardimeve të paarsyeshme ndaj komplekseve të banimit në Kiev dhe qyteteve të tjera që shkaktuan një numër të madh të vrarësh në radhët e civilëve të pafajshëm, përfshirë të moshuar dhe fëmijë – presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha: “Shteti i lig rus po tregon edhe një herë fytyrën e tij, duke vrarë njerëz në mes të ditës dhe duke shkatërruar çdo gjë”.

Pas një sulmi të mëparshëm të ushtrisë ruse në zonat urbane, Zonja e Parë e Ukrainës Olena Zelenska tha: “Shkatërrimi i jetëve të të tjerëve është një zakon i neveritshëm i fqinjëve tanë. Por ne do të rezistojmë”. Siç tha Biden më shumë se një vit më parë, Putini duhet të largohet nga pushteti.

Por si mund të arrihet kjo? Sigurisht jo nga një pushtim ukrainas apo perëndimor i Rusisë. Biden u tmerrua nga perspektiva e krijimit të një zone të ndalim-fluturimi të NATO-s: “Kjo do të thotë të shpallim nisjen e Luftës së Tretë Botërore!”.

Thuhet se Ukraina ka tentuar një sulm me dronë kundër Putinit javën e kaluar, por ai nuk arriti dot objektivin. Për më tepër masat e rrepta të sigurisë së Putinit i bëjnë të vogla shanset e një operacioni të tillë për të pasur sukses.

Edhe nëse Putin do të bjerë viktimë e një ngjarjeje fatale të qëllimshme ose aksidentale, a do të mbaronte me të regjimi që ka instaluar? Apo ai përfshin një strukturë të tërë qeveritare që ndan metodat e tij brutale dhe epshin agresiv për të zgjeruar ambiciet territoriale dhe ideologjike të Rusisë?

Nëse komplotistët gjermanë do të kishin arritur të vrisnin Hitlerin, a do të ishte shembur sistemi nazist? Edhe nëse eliminimi i Putinit nuk do të mjaftonte në vetvete për t’i dhënë fund fushatës vrastare të Rusisë, rrëzimi i tij do ta dobësonte ndjeshëm regjimin, ndoshta në mënyrë fatale.

Zelensky e njeh mirë lidhjen e fortë midis veprimeve të Putinit dhe qëndrimit të tij në pushtet. “E gjithë kjo luftë që po bëni ju rusët nuk është luftë me NATO-n, siç gënjejnë propagandistët tuaj. Nuk është për diçka historike. Por është një luftë që një person të qëndrojë në pushtet deri në fund të jetës së tij”- tha presidenti ukrainas.

Ndaj përfundimi i regjimit të Putinit do t’i jepte fund luftës. Po sikur veprimet ndërhyrëse ushtarake perëndimore kundër shtetit rus të jenë jashtë çdo lloj diskutimi, dhe një sulm specifik ndaj Putinit të jetë i pamundur në praktikë, atëherë cili është instrumenti për largimin e Putinit? Përgjigja për ndryshimin e regjimit në Rusi duhet të vijë nga populli rus.

Perëndimi mund ta ndihmojë duke përdorur armën e tij më të fuqishme, atë që rrëzoi dikur “Perden e Hekurt”: të vërtetën. Kur Ronald Reagan e shpalli Bashkimin Sovjetik si “Perandoria e së Keqes”, kjo gjë shkaktoi komente tallëse nga disa njerëz në Perëndim.

Por pas “Perdes së Hekurt, njerëzit në qytete dhe fshatra, gulagët dhe qelitë e burgut, i dëgjuan fjalët e presidentit amerikan dhe u prekën. Ata u frymëzuan që një njeri shumë me peshë jashtë botës së tyre të zymtë e të dëshpëruar, dinte dallimin midis të drejtës dhe të gabuarës, të mirës dhe të keqes, lirisë dhe skllavërisë.

Biden ka qenë i sinqertë në kundërshtimin e justifikimeve të Putinit për sjelljen e tij barbare. Por ai duhet të udhëheqë një fushatë të bashkërenduar perëndimore të tregimit të së vërtetës ndaj popullit rus, për të mbështetur ata që kërkojnë një rrugë të re për të ecur përpara.

Këta të fundit duhet të binden se agresioni i Putinit në Ukrainë është i dënuar të dështojë. Populli ukrainas ka dëshmuar guximin, kompetencën dhe përkushtimin e tij për lirinë. Perëndimi duhet t’u japë atyre tani të gjitha armët që u nevojiten për të mposhtur me vendosmëri agresionin e Putinit.

Shënim:Joseph Bosco, shërbeu si drejtor i çështjeve të Kinës për Sekretarin e Mbrojtjes në vitet 2005-2006. Punonte në Pentagon kur Vladimir Putin pushtoi Gjeorgjinë dhe u përfshi në diskutimet rreth reagimit të SHBA-së.

/albeu.com


Shtuar 5.05.2023 11:13