Del një lidhje suprizë të trafikantit banane me vrasjet në bllok
Lidhje interesante po dalin në skenë ndërmjet grupeve kriminale që po goditen nga policia shqiptare. Së fundmi mësohet se njeriu i babaneve me kokainë Arbër Cekaj është kushëri i një personi misterioz me dy emra që ka qenë shkaktari fillestar i ngjarjes në bllok ku mbetën të vrarë dy persona.

Kur po mbushen dy muaj hetime për masakrën e 4 tetorit 2018 në ish-bllok, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha dhe u plagosën Eljo Hato dhe Ervis Martinaj, prokuroria e Tiranës mësohet të ketë identifikuar dhe një person tjetër, që mesa duket është strumbullari fillestar i këtij konflikti.

Sipas burimeve ai mësohet të jetë Eldi Dizdari, person ky që ka qënë i pari që është konfliktuar me Ervin Mata dhe kushëririn e Elvana Gjata, Merviol Bilo. Dizdari mësohet të jetë në kërkim policor pasi prokuroria e Tiranës e kërkon për të dhënë shpjegime, pasi ai është personi që ka pasur një konflikt të fortë me Ervin Matën në mbrëmjen e 4 tetorit, para lokalit “Metropol” të Redi Popeskut, rreth gjysëm ore para se të ndodhte përplasja me armë brenda këtij lokali.

Eldi Dizdari njihet dhe me emrin Denis Matoshi dhe njihet si kushëri i afërt me Arbër Çekaj, pronarin e kompanisë së bananeve të arrestuar në Gjermani për trafikun e 613 kg kokainë që u sekuestrua para disa muajsh në Durrës. Sipas burimeve të prokurorisë Mata dhe Dizdari janë konfliktuar me njëri-tjetrin në rrugë, pikërisht përpara lokalit “Metropol”. Dyshimet janë se Mata dhe Dizdari janë konfliktuar për çështjen e një borxhi financiar, borxh i cili nuk ishte shlyer nga Ervin Mata,raporton shqiptarja.

Në këtë konflikt është përpjekur të hyjë dhe komandoja Merviol Bilo, por nga pamjet filmike ka rezultuar se Bilo largohet nga Mata dhe më pas Eldi Dizdari së bashku me personat e tjerë që ishin me të janë larguar. Makina e tyre është ndjekur në këmbë nga Mata dhe grupi i tij deri tek zona e “Sky Tawer”, por nuk kanë mundur më ta shikojnë dhe janë rikthyer sërisht pas, duke u futur në lokal “Monopol”. Ndërkohë Dizdari nuk ka qënë fizikisht në lokalin “Monopol”, aty ku ndodhi dhe përleshja fizike dhe me armë, pasi është larguar në drejtim të pacaktuar ende. Pamjet filmike të disa bizneseve sipas prokurorisë kanë zbuluar se Dizdari ka qënë personi i parë ai që është konfliktuar me Ervin Mata dhe më pas është larguar.

Ndërkaq, një ndër dëshmitarët që duhet të pyetet në këtë çështje penale është planifikuar të merret dhe rrëfimi i këngëtares Elvana Gjata. Vendodhja e kësaj të fundit nuk është gjendur nga policia, por prokuroria e Tiranës ka lëshuar një urdhër në të gjitha pikat kufitare që Elvana Gjata sapo të paraqitet në pikat e kalimit kufitar të ndalohet dhe shoqërohet në polici, ku të japë dëshmi për ngjarjen e masakrës së 4 tetorit 2018 në ish-bllok.

Pas 30 ditë kërkime në adresat e deklaruara nga prindërit e Elvana Gjata, policia nuk ka arritur ta gjejë për t’i marrë dëshminë. Për këtë çështje një burim nga prokuroria tha se Elvana Gjata nuk është person në hetim, por një dëshmitare si shumë persona të tjerë. Me mbarimin e afatit 30 ditor, policia ka vendosur një shënim në sistemin TIMS ku kërkohet që në momentin e parë të paraqitjes në kufi të Elvana Gjatës ajo të ndalohet dhe të telefonohen prokurorët e çështjes, të cilën caktojnë një datë paraqitje për të dëshmuar.
Shtuar më 28/11/2018, ora 08:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori