Del në skenë edhe një elbasanlli i fuqishëm që ishte nën urdhërat e Avdylajve
Zbardhen detaje të reja për një nga 27 të arrestuarit për lidhje me grupin kriminal të Shijakut, Avdylaj dhe laboratorin e heroinës në Has. Elis Bahushi është biznesmeni nga Elbasani i cili u arrestua mbrëmjen e kaluar nga operacioni i RENEA-s dhe FNSH-së, i shtrirë në të gjithë vendin.

Bahushi është tregtar i metrazheve dhe një prej biznesmenëve të njohur në Elbasan, pronar i një kompleksi gjigant bar dhe restorant në lagjen "28 nëntori" dhe i disa dyqaneve në lagjen "Hekurudha". Gjithashtu, ai rezulton pronar edhe i disa makinave luksoze. Mësohet gjithashtu se biznesmeni vizitonte vazhdimisht Kinën dhe Turqinë prej nga ku importonte lëndë të parë për prodhimin e veshjeve.

Grupi i Shijakut, ku në prangat e policisë ranë vëllezërit Astrit dhe Jasin Avdyli, ishte grupi që kishte porositur heroninën e Hasit. Porositësit e heroinës me lëndë të parë turke dhe afganistanase që prodhohej në laboratorin e Hasit duket se ishin grupi kriminal Avdylaj në Shijak, të cilët po tentonin trafikimin e drogës së fortë në drejtim të Gjermanisë,raporton report tv. Familja Avdyli është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit, mes tyre Flamur Avdyli zotëron kompaninë 'Orges Albania 2016' dhe hotelin luksoz ‘Germany’ në Durrës.

Lista e persona që kanë përfunduar pas hekurave është e gjatë dhe aty ndodhen anëtarë të 4 grupeve kriminale, me akuza që variojnë nga “trafiku i drogës” te “krijimi i organizatës kriminale” armëmbajtja pa leje” dhe deri te “tjetërsimi i pronave”.
Shtuar më 23/10/2018, ora 08:02

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori