Blinken: Do të rihapim shumë shpejt ambasadën amerikane në Kiev

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se SHBA po rihap Ambasadën e saj në Kiev dhe do të rifillojë operacionet “shumë shpejt”, shkruan The Guardian.

Stafi i ambasadës amerikane është larguar nga Kievi gati dy javë para se Rusia të niste pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt, duke zhvendosur diplomatët në Lviv.

Më pas të gjitha operacionet janë zhvendosur në Poloninë fqinje. Disa shtete të Perëndimit kanë rihapur tashmë ambasadat e tyre në Kiev, pasi Rusia ka tërhequr forcat e saj nga rajoni i kryeqytetit ukrainas, për t’u fokusuar në lindje dhe jug të Ukrainës.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” me qëllim çmilitarizimin e Ukrainës.