Del emri i pasuesit të Çakos, kush pritet të drejtojë policinë e Shtetit
Pëlqej
Qeveria Rama prej dy ditësh gjendet në Lezhë aty ku do të zhvillohet mbledhja e qeverisë.

Por jo vetëm kaq, gjatë aktivitetëve, pritet që Rama të zbulojë pasuesin e Çakos.

Sipas axhendës, në Lezhë do të mbahet edhe një aktivitet kushtuar 105 vjetorit të krijimit të policisë së shtetit.

Për organizimin e këtij përvjetori është marrë personalisht drejtori i komanduar i policisë Rebani Jaupi, shkruan GSH.

Në aktivitet janë ftuar dhe 4 drejtorë qarqesh, të cilëve do t’u ndahet nga një certifikatë.

Përkatësisht i ftuar do të jetë drejtori i policisë Tiranë, Ardi Veliu, drejtori i policisë Shkodër, Gjovalin Loka, drejtori i policisë Durrës, Alfred Çepe dhe drejtori i komanduar i policisë Elbasan, Altin Qato.

Të njëjtat burime shprehen se gjatë këtij aktiviteti kryeministri Rama do të prezantojë edhe drejtorin e policisë së shtetit.

Nuk dihet me saktësi emri i personit që do të zërë vendin e kryepolicit, por të gjitha zhvillimet e orëve të fundit çojnë tek emri i Sokol Bizhgës.

Ky i fundit, është parë në shoqërinë e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj që të premten duke zhvilluar disa takime në Lezhë.

Përpos këtyre, Bizhga plotëson të gjitha kriteret për të marrë këtë detyrë. Megjithatë, emri i Bizhgës është lakuar edhe për postin e Drejtorit për Rendin dhe Sigurinë Publike.

Ai ka një karrierë më shumë se 18 vite në policinë e shtetit pa asnjë shkëputje dhe prej kohësh mban gradën “drejtues i parë”. Bizhga është aktualisht drejtor i Forcave Lëvizëse Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme. /albeu.com/

Shtuar më 13/01/2018, ora 09:42
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori