Dekriminalizimi, a po i tremb miratimi i ligjit kryetarët e partive?
Nga Desada Metaj-

Krejt ndryshe nga zhurma që shoqëroi hartimin dhe miratimin, hyrja në fuqi e ligjit për dekriminalizimin e politikës u pasua me një heshtje, për të cilën shumë besojnë se nuk do të jetë e gjatë. Me akuza të ndërsjellta dhe deputetë të prangosur, parlamenti aktual i Shqipërisë, veç skenave të turpshme të degradimit të debatit politik, do të mbahet mend gjatë dhe si Kuvendi me anëtarët më të prekshëm nga akuzat jo vetëm per vjedhje por dhe për përfshirje direkte në vrasje, plagosje apo trafik të qenieve njerëzore.

Po ti shtosh këtyre dhe kushtin e PD për testin e drogës, fare thjesht mund të mendosh se ke të bësh me përplasje bandash se sa me ligjvënës që kanë fatin e këtij vendi në dorë. Këto akuza mbeten prezente edhe gjatë zgjedhjeve lokale, të zhvilluara vetëm pak muaj më parë ndërsa forcat kryesore në vend akuzuan direkt kandidatë që edhe pse kishin ndërruar gjeneralitetet zyrtarisht, ishin të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të qënieve njerëzore apo lëndëve narkotike.

Të mbeshtetur nga kryetaret e partive që i kandiduan në këto poste pavarësisht akuzave të rënda, të zgjedhurit rishtas në krye të bashkive, duken ende të qetë edhe pas hyrjes në fuqi të ligjit të dekriminalizimit. Krejt ndryshe ndodhi me deputetin socialist Arben Ndoka, i cili dorëzoi mandatin duke publikuar dhe një letër të hapur ku shpjegonte variantin e tij të ngjarjes për të cilin edhe ishte dënuar nga drejtësia italiane vite më parë. I mirëpritur si vendim edhe për faktin se deputetit në fjalë ishte i përfshirë në një tjetër skandal, atë të dhunimit të Gent Strazimirit, shumëkush priste që veprimi i tij të pasohej edhe me dorëheqje të tjera. Por kjo nuk ndodhi edhe pse të gjithë e kishin të qartë që ligji do të hynte shumë shpejt në fuqi.

Për më tepër që një reformë e tillë, ishte për ndërkombëtarët po aq e rëndësishme sa reforma në drejtësi. Më shume se njëherë, diplomatë të SHBA dhe BE e vunë fort theksin tek largimi i të inkriminuarve nga politika. Madje në takime konfidenciale ata e kishin shumë të qartë dhe të detajuar edhe listën e këtyre personave. Gjë që me shumë saktësi duhet ta dinë dhe ata që i kanë emëruar në këto detyra.

Askush në Shqipëri nuk beson që Edi Rama, Lulzim Basha apo Ilir Meta kanë hartuar listat e deputetëve pa njohur çdo detaj të jetës së tyre në Shqipëri, emigracion, apo veprimtaritë ekonomike që kanë patur. Të gjithë e dinë se emrat në listat e deputetëve apo të zgjedhurve lokale kalojnë në sitën e kryetarëve të partive dhe stafeve të tyre shumë kohë më parë se të publikohen. Kjo ka vlerë dhe për partitë e vogla “aleate”, që shpesh përdoren si justifikim për të sjellë në Kuvend të pashkolluar dhe të inkriminuar.

Dhe në një Shqipëri të vogël, çdo element i mënyrës së pasurimit të pandershëm është lehtësisht i dukshëm, edhe pse një pjesë e kësaj pasurie, kryetarëve, u duhet për të financuar fushatat. Pikërisht duke mbetur peng i këtij financimit, apo mbrojtjes nga “të fortët” në një fushatë të ashpër dhe të egër, personazhe të inkriminuara depërtojnë si fillim në stadet e ulëta të jetës politike duke marrë më pas fuqinë për të drejtuar dhe fatet e partive të medha. Kjo ka ndodhur qartas këto vite në Shqipëri, ndaj dhe miratimi i ligjit të dekriminalizimit nuk kaloi nëpër rrugë të lehta.

Debatet dhe zvarritjet i lanë vend me vështirësi miratimit dhe sot më në fund mund të krenohemi që kemi një bazë ligjore e cila mund të zhdukë përfundimisht të inkriminuarit nga politika. Se sa do të mundet ky ligj të funksionojë, gjithsesi mbetet për t’u parë në javët në vazhdim.

E rëndësishme është të bindemi që në mendjen e kryetarëve të partive të nisin të funksionojnë receptorët kundër krimit, pasi si përgjegjës të vetëm të katapultimit të “të fortëve” në politikë, tashmë duhet të kenë një sitë më të imët për emrat që shkruajnë në lista. Përndryshe, nuk do të jetë e largët dita kur ata vetë do të jenë në sallën e gjyqit bashkë me krimininelët që na i bënë peshqesh bashkë me korrupsionin dhe rrënimin ekonomik. /Albeu.com/
Shtuar më 07/01/2016, ora 18:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori