Dekretet e Topit për Kushtetuesen në dorë të LSI e PDU
Pëlqej
Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia për Drejtësi dhe Unitet kanë në dorë fatin e dekreteve të Presidentit Bamir Topi për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Deputeti i LSI-së Nasip Naço abstenoi dje në votimin në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore ndërsa mbetet për tu parë qëndrimi final në seancë.

Naço u shpreh se nuk ishte bindur nga relacioni i paraqitur në komision prej deputetëve të Partisë Demokratike që rrëzonin tre prej katër kandidatëve të Topit. Ndërkohë ai shtoi se do të studiojë edhe një herë dokumentacionin për të dalë në një qëndrim final. I pyetur nëse ky qëndrim ishte politik i LSI-së apo personal ai sqaroi se “qëndrimi ishte personal por gjithçka do të shqyrtohet. Unë do të informoj kolegët e mi të LSI-së për propozimin e komisionit dhe për mendimin tim si anëtar. Më pas do të dilet në një qëndrim përfundimtar”.

Sakaq, ende pa qëndrim mbeten edhe dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri. Pjesëmarrja e opozitës në seancë do të kërkonte 71 vota që kandidatët të rrëzoheshin. Numër që shumica nuk e ka pa votat e LSI dhe PDU. (albeu.com)
Shtuar më 02/11/2010, ora 10:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori