Deklarimi i pasurisë, PS kërkon transparencë nga fëmijët e Berishës
Partia Socialiste i është rikthyer kërkesës së saj për transparencë të pasurive të Kryeministrit Sali Berisha dhe fëmijëve të tij. Në një deklaratë për mediat, deputeti Taulant Balla u shpreh se përfshirja së fundmi e fëmijëve të kryeministrit në prodhimin e baltës antiopozitare për llogari të babait shton edhe më shumë bindjen se punët e shtëpisë dhe punët e qeverisë për Sali Berishen janë një.


“Si të gjithë të korruptuarit e mëdhenj në krye të një pushteti të diskredituar, edhe Saliu s'gjen dot rrugë më të denjë për të ikur përvecse duke hedhur baltë sa të mundet. Origjinaliteti i Saliut është se ka futur edhe fëmijët tani në punë kundër opozitës. Sepse nuk i mjafton foltorja e PD për t'i diktuar asaj vajzës së botës përditë me telefon sharjet kundër opozitës, po tani ka ngritur nga një zyrë shtypi edhe në shtëpinë e vajzës edhe në vilën e djalit”, u shpreh Balla.

Pavarësisht disa reagimeve të Shkëlzen dhe Argita Berishës, për deputetin Balla pyetjet e opozitës për transparencë të pasurive të tyre mbetet pa përgjigje.

“Dhe që të dy, edhe Argita edhe Shkëlzeni, në vend që të japin nga një pergjigje të thjeshtë duke treguar një për një burimet e të ardhurave të tyre përrallore, dalin përditë dhe shajnë mua apo Edi Ramën. Madje me libër shpie, tamam bëmë baba të të ngjaj! Por puna është se kështu jo vetëm nuk e zgjidhin problemin e tyre me opozitën, e cila kërkon hesap në emër të publikut se këtë detyrë ka, por e rëndojnë edhe më shumë pozicionin e vështirë ku janë. Pse moj zonja Argita nuk ia tregoni publikut kush janë universitetet shqiptare që të kanë paguar ty më shumë se te ishe në Harvard? Dilni zonjë e nderuar dhe tregojuani shqiptareve se si e realizoni ju një fitim vjetor 146 milionë lekë, vetëm me mësuesi, që me një llogari të thjeshtë kërkon 22 orë pune ne cdo ditë të vitit”, tha Balla.


Duke iu referuar deklarimeve të vajzës dhe djalit të kryeminnistrit, Balla ka karkuar atyre të ilustrojnë me fakte punimet shkencore dhe cfarë është përfituar prej tyre.

“E para, kush e ka paguar Argita Berishën për mësuesi me rrogat e honoraret që ajo pretendon, të cilat kalojnë imagjinatën e cdo mësuesi, pedagogu dhe shkencëtari në Shqipëri? E dyta, kush janë bizneset që kanë përfituar nga aftesitë profesionale të Shkëlzen Berishës si ndërmjetës apo shqip sekser, dhe që e kanë paguar për shërbimet e tij me shuma që kalojnë imagjinatën e cdo shqiptari që nuk ka vetë një biznes të madh? Dy pyetje që duan dy përgjigje dhe jo dy çarçafë plot baltë nga shtëpia e vajzës dhe djalit të Kryeministrit në adresë të opozitës”, tha Balla. /albeu.com/
Shtuar më 07/01/2013, ora 13:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori