Deklaratat ndaj ish të përndjekurve, Bazhdari: Të shporrim Berishën nga pushteti
Partia Socialiste ka reaguar në lidhje me deklaratat e kryeministrit Sali Berisha, i cili u shpreh se greva e urisë së ish-të përndjekurve politikë ishte e paguar dhe inskenuar nga Edi Rama.


Në një dalje publike nga selia rozë, Keti Bazhdari, Kryetares së Grupit të punës së PS-së për ish të përndjekurit, i ka cilësuar deklaratat e kryeministrit si “lum i ndytë sharjesh dhe shpifjesh”.

“Si ka mundësi që në mes të Europës të flitet si në mejhane dhe jo në tavolinën e qeverisë? Si ka mundësi që në mes të Europës një kryetar qeverie ta përbuzë dinjitetin e popullit të vet duke turpëruar përditë vendin e vet. Si ka mundësi që në mes të Europës një qeveri të mbajë peng një popull të tanë me prralla ndërkohë që kryen hajni të pashembullta. Si ka mundësi që në mes të Europës një kryeministër të shpërfillë varfërinë, papunësinë, problemet sociale dhe ta rrënojë përditë vendin me fjalë dhe vepra të ulëta. A me të vërtetë shqiptarët e meritojnë këtë turp?!

A me të vërtetë shqiptarët e meritojnë të ushqehen përditë me helmin e urrejtjes së kryeministrit të tyne për popullin që s’mendon si ai? A me të vërtetë shqiptarët e meritojnë të shikojnë përditë shfaqjen e ulët të një kryetari qeverie që flet për të burgosurit politik me gjuhën e urrejtjes klasore të partisë së punës?! Të gjithë e pamë që në atë grevë u ngujuan burra të fortë”, ka deklaruar Bazhdari. Ajo ka akuzuar Berishën se shan dhe shpif për kod, ndërkohë që ka theksuar se ka ardhur koha që Shqipëria duhet të rilindë dhe kjo mund të bëhet duke larguar Sali Berishën nga pushteti.

“Unë jam vajza e një babë që partia e dikurshme e Sali Berishës e kalbi në burg politik, po prej babës tem nuk mësova urrejtjen, por respektin për tjetrin. Nuk mësova me rrejt e me sha por me jetu me të vërtetën e me punën.

Prandaj jam në këtë parti dhe jo në partinë e që të burgosurit e votuan 20 vjet e prej 20 vjetësh marrin zhgënjime tallje e përbuzje. Unë besoj se Shqipëria duhet të rilindë dhe rilindja kalon përmes shporrjes nga pushteti të komunistit më të keq që polli kjo tokë, Sali Berishës”, ka deklaruar Bazhdari. /albeu.com/
Shtuar më 24/10/2012, ora 15:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori