Deklarata fyese e Dacit
Albeu.com
Naser Rugovës i duket fyese përgjigjja që mori nga Nexhat Daci për idenë që në krye të LDK’së dhe LDD’së të vijë Ukë Rugova. Ai insiston se djali i Presidentit të ndjerë mund t’i shpëtojë “rugovistët”. Në këtë ide, thotë se e ka përkrahjen edhe të disa anëtarëve të Kryesisë së LDD’së.Deklaratë e paqëlluar, politikisht jokorrekte, në një masë edhe fyese.

Kështu e ka cilësuar Naser Rugova përgjigjen që mori javën e kaluar nga Shefi i tij, Nexhat Daci, lidhur me idenë që në krye të LDK’së dhe LDD’së të vijë Ukë Rugova, djali i vogël i Presidentit të ndjerë.

Kryetari i LDD’së, Nexhat Daci, në një intervistë që dha javën e kaluar për Express, tha se Kosova nuk është monarki, ku pushteti trashëgohet. Rrjedhimisht, ai i cilësoi si joserioze idetë e anëtarit të Kryesisë së partisë së tij.

Kjo deklaratë e ka shtyrë Naser Rugovën që të reagojë. “Konsideroj se krahasimet me modele monarkiste janë tërësisht të paqëlluara, politikisht jokorrekte dhe në një masë edhe fyese. Sikur të kishte tendenca monarkiste, kjo do të bëhej që për së gjalli të Presidentit Rugova dhe aspak nuk do të ishte çështje debati”, ka thënë Rugova, për Express, të premten.

“Unë nuk mund të them se kur Ukë Rugova do të vendosë të inkuadrohet në politikë, por duke e njohur Ukën, duke e njohur shpirtin demokratik të familjes së Presidentit Rugova, ju siguroj se kurdo që të jetë ky zhvillim, do të jetë në kuadër të një procesi demokratik dhe transparent. Shembuj të tillë ka mjaft edhe në botën perëndimore dhe opinioni këto i di mirë”, ka shtuar ai.

Kryetari i LDD’së, kur është përgjigjur për idenë e Naser Rugovës, ka marrë shembuj kur trashëgimtarët e udhëheqësve të mëdhenj të Ballkanit janë përpjekur që t’i futen politikës, por që kanë dështuar.

Për Naser Rugovën, kjo është paralele fyese. “Më duhet ta përsëris edhe një herë se tërheqja e paraleleve me sistem monarkist apo krahasimi i djalit të Presidentit Rugova me fëmijë diktatorësh si Tito apo dikush tjetër, është i paqëlluar dhe madje edhe fyes”, ka thënë ai.

Naser Rugova ka shpjeguar idenë se pse mendon se Ukë Rugova mund t’i unifikojë LDK’në dhe LDD’në.

“Unë nuk kam thënë se Ukë Rugova duhet të vihet arbitrarisht në krye të LDK’së. Unë kam thënë se Ukë Rugova është faktor unifikues, është një nga personalitetet e rralla, për të mos thënë i vetmi, i cili ka fuqi morale dhe politike që të bashkojë LDK-në dhe LDD-në me sa më pak kushte dhe me sa më pak dhimbje. Rolin e Ukë Rugovës si një lider të mundshëm, unë e shoh vetëm në kontekstin e zhvillimeve në të ardhmen, në kontekstin e ndryshimit të gjeneratave dhe rifreskimit si proces natyror dhe jo si një proces arbitrar”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se këtë ide e përkrahin edhe disa anëtarë të tjerë të Kryesisë së LDD’së.

“Ne jemi disa anëtarë të Kryesisë së LDD’së, të cilët mendojnë se Ukë Rugova është faktor unfikues. Këtë mendim e kanë edhe shumë anëtarë të tjerë të dy partive, por kjo nuk do të thotë se ne nuk do ta përkrahim ndonjë personalitet tjetër që do të mund ta përmbushte këtë mision. Qëllimi ynë është bashkërenditja e rugovistëve në një front të përbashkët dhe nuk është me rëndësi se kush e realizon këtë mision”, ka thënë ai.

Por kush tjetër mund t’i unifikojë këto dy parti?

“Ka të atillë që besojnë se këtë mision mund ta realizojë Isa Mustafa apo edhe liderët aktualë, Daci dhe Sejdiu. Cilido që ta realizojë këtë mision, ne do ta përkrahim pa menduar dy herë”, ka thënë Rugova.

LDD’ja po kalon një krizë pas zgjedhjeve të fundit lokale, pasi që partia e Nexhat Dacit nuk mori votat që kishte marrë në vitin 2007. Shumëkush në LDD beson se shpëtimi i vetëm i kësaj partie është bashkimi me LDK’në. (Faton Ismajli, express)
Shtuar më 20/02/2010, ora 15:33
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori