Zhvatën konsumatorët në kohë krize, Konkurrenca “fal” grosistët e vajit vegjetal: Nuk gjetëm asnjë shkelje

Autoriteti i Konkurrencës ka “falur” grosistët e vajit vegjetal në Shqipëri pavarësisht çmimeve stratosferike, me të cilat ua shitën ata këtë produkt konsumatorëve vendas duke nisur pas luftës në Ukrainë.

Përmes një vendimi të publikuar sot, Komisioni i Konkurrencës thotë se ka mbyllur hetimin për kompanitë AGRO BLEND SHPK, BOMIRA SHPK, DEVI 20 – GRUP SHPK, EQEREM-934 SHPK, FERRA & CO SHPK, GLOBCOM SHPK, KRIKET-1 SHPK, TEUTA DURRES SHPK dhe PDF SHPK në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal dujke konstatuar se nuk ka patur marrëveshje mes tyre për shtrenjtimin e koordinuar të vajit.

Në fakt, që prej marsit të vitit të shkuar dhe në vijim, qytetarët janë përballur me çmime të larta të vajit për shkak të faktorëve të jashtëm, por edhe abuzimeve me çmimet nga tregtarët e mëdhenj në Shqipëri, megjithatë kjo e dyta nuk është marrë në konsideratë nga Autoriteti i Konkurrencës duke i lënë ata “të gëzojnë” paratë e bëra përmes zhvatjes së qytetarëve gjatë kohës së krizës.

Njoftimi i Autoritetit të Konkurrencës

Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 14.04.2023, mori në shqyrtim raportin e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve AGRO BLEND SHPK, BOMIRA SHPK, DEVI 20 – GRUP SHPK, EQEREM-934 SHPK, FERRA & CO SHPK, GLOBCOM SHPK, KRIKET-1 SHPK, TEUTA DURRES SHPK dhe PDF SHPK në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal.

Në përfundim të analizës së çmimit të shitjes me shumicë të vajit të lulediellit, rezultoi se, gjatë periudhës hetimore, rritja e çmimit të shitjes me shumicë e bërë prej ndërmarrjeve nën hetim ka reflektuar rritjen e çmimit mesatar të importit.

Po ashtu, u konstatua se çmimet mesatare mujore të shitjes me shumicë nuk janë të përafërta për këto ndërmarrje.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 975, datë 14.04.2023 vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve AGRO BLEND SHPK, BOMIRA SHPK, DEVI 20 – GRUP SHPK, EQEREM-934 SHPK, FERRA & CO SHPK, GLOBCOM SHPK, KRIKET-1 SHPK, TEUTA DURRES SHPK dhe PDF SHPK në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal. /albeu.com


Shtuar 26.04.2023 14:09