Deklarata e fortë e Arvizu: Të hetohet, akuzat ndaj Tahirit janë serioze!
Ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu ka reaguar për herë të parë në lidhje me situatën e nxehtë në Shqipëri, në lidhje me “skandalet” e drogës dhe përfshirjen e ish-ministrit Tahiri dhe 3 shefave të policisë në Vlorë.

Në një intervistë për gazetarin Alfred Lela të publikuar në “Politiko.al” ai ka reaguar edhe ndaj çështjes Tahiri duke deklaruar se akuzat ndaj tij janë serioze.

“I kam lexuar disa prej akuzave kundër tij dhe ato janë serioze. Dhe nuk e di se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo.

Nëse ka bërë diçka të gabuar, dhe kjo mund të provohet në gjykatë, atëherë ai patjetër që duhet të përballet me pasojat. Por, siç e thashë, nuk e di nëse ai është fajtor,” thotë Arvizu.

Ai ka folur edhe për mos heqjen e imunitetit të Tahirit, ku tregohet shumë i qartë duke thënë se deputetët gëzojnë imunitet sipas Kushtetutës, por imuniteti nuk duhet të jetë mburojë nga hetimet.

I pyetur rreth përgjimeve të Habilajve, në të cilën përmendeshin 20 mijë euro që do ti dërgoheshin Saimirit për fushatën, apo për denoncimet e opozitës për blerje të votës dhe nëse beson se janë përdorur para për të blerë votën ish-ambasadori tregohet i drejtpërdrejtë:

“Jam i sigurt se po. Por nuk është kjo arsyeja e tkurrjes së PD”
Sa i përket kritikave për votimin e Ilir Metës si President, ish-ambasadori Arvizu ka një mendim ndryshe duke e vlerësuar figurën e kreut të shtetit dhe duke e cilësuar atë si një zgjedhje të mirë.

“Kam shumë respekt për z. Meta. Po, ne jemi në kontakt, megjithëse ai është gjithnjë një person i zënë me punë si Kryetar Shteti, dhe unë e kam parasysh këtë.

Për shkak të staturës së tij politike, z. Meta nuk është peng i asnjërës prej partive politike kryesore, dhe kjo është një gjë e mirë. Po, mendoj se ai është një zgjedhje e mirë si President.

Por ka pasur një prirje për ta ‘demonizuar’ z. Meta dhe LSI, dhe për t’i fajësuar ata shpërpjestimisht për problemet e politikës shqiptare. Kjo është gjithashtu e vërtetë edhe për të ashtuquajturin faktor ndërkombëtar, përfshirë edhe Ëashington-in zyrtar.

Ishte frustruese të dëgjoje nga Departamenti i Shtetit gjëra të tilla si: “pse të merremi me Metën dhe LSI? Sigurohuni që Berisha (më vonë Basha) dhe Rama të pajtohen për këtë apo atë gjë”.

Dhe unë u thoja: “Nuk e kuptoni, apo jo? Berisha dhe Rama (apo Basha dhe Rama) NUK do të bien dakord, dhe ky është problemi!”. LSI është pjesë e dinamikës.

Është realiteti politik i Shqipërisë sot. Çdo zgjidhje që nuk e përfshin konstruktivisht LSI nuk është serioze”, deklaron ish-ambasadori. /albeu.com/

Shtuar më 24/11/2017, ora 10:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori