Shtëpia dridhej nga bombardimet, s’pamë dritë dielli! Ekskluzive, trondit ukrainsja e strehuar në Shqipëri

Olena Kriachko është një sociologe ukrainase si edhe pjesë e këshillit bashkiak të Kharkiv, e cila vetëm pak ditë më parë ka arritur në Tiranë ku po strehohet sëbashku me dy fëmijët e saj pas arritjes nga lufta. E ftuar ekskluzive në ‘Abc e Pasdites’ me Ermal Peçi, Olena rrëfeu rrugëtimin e saj 60 orësh nga Kharkivi drejt fshatit Laknas në kryeqytet. Siç edhe ajo shprehu, tronditja ishte tejet e madhe dhe çdo ditë e më tepër përballeshin me të paimagjinueshmen.

Plot emocion, Kriachko tregoi ditën kur mori vendimin përfundimtar për të kaluar kufirin dhe për tu arratisur, duke u bërë sëbashku me fëmijët e saj një refugjate lufte.

“Ditën e parë kur filloi pushtimi ne e kuptuam që duhet të paketojmë çantat dhe të kërkojmë për një shtëpi. Shtëpia jonë ishte te rruga e trupave ruse, në hyrje të kufirit me Rusinë. Paketuam rrobat, i vendosëm në makië dhe shkuam në një shtëpi tjetër në qendër të qytetit. Qëndruam aty për disa ditë. Nuk mbaj mend qartë se sa ditë qëndruam aty sepse nuk kuptonim a ishte dita apo natë. Ishte një rrëmujë e vërtetë, vajza ime e vogël ishte e frikësuar dhe qante. Kuptova që duhet të prisnim për negociatat e para. Ata nuk nxorrën gjë në dritë dhe thonim okay raundi tjetër do të funksionoj. Por kur sheshi kryesor i qytetit u bombardua dhe ishte pranë nesh, shtëpia ku ne qëndronim po dridhej. Unë mora fëmijët, morëm thjesht çantat e shpinës dhe shkuam në stacionin e trenit. Nuk më interesonte se sa larg apo pranë do të ishte vendi. Thjesht mendoja se si do të mbijetonin fëmijët e mi.”

Ndër të tjera ajo zbuloi edhe përjetimet nga ditët ku jetonte mes luftës, ku shprehu se “di njerëz që kanë vdekur, janë vrarë nga ushtarë rus. Thjesht po përpiqeshin të largoheshin, po hipnin në makinë. Është e tmerrshme, të gjithë ne nuk e dijmë se si do të jetojme me të gjithë këtë.”

Shqipëria nuk ishte një vend i panjohur për Olenën, e cila disa vite më parë e kishte vizituar sëbashku me të ëmën. Por megjithatë informacionet ishin minimaliste, dhe frika ishte shoqëruese përgjatë rrugëtimit. Ndonëse sot gjendet ne Tiranë e sigurtë me dy fëmijët e saj, 16 dhe 9 vjeç, ajo shpreh shqetësimin për familjarë të tjerë që ka lënë pas. Sipas saj, komunikimi është i përditshëm falë teknologjisë por jo të gjithë ukrainasit kanë mundësinë të lidhen në rrjet dhe për pasojë për një pjesë të mirë të njerëzve të afërm nuk ka informacion.

“Nuk e planifikova këtë gjë. Kur kaluam kufirin e Sllovakisë, u larguam me disa refugjatë të tjerë por unë e kuptova që duhet të ecim përpara sepse dua të aplikoj për një vizë amerikane dhe kjo është shumë e rëndësishme për djalin e tij që të vazhdoj universitetin. Miqt e mi në shtetet e bashkuara më thanë shko në shqipëri, dhe unë erdha këtu. Para disa vitesh kam bërë ekskursion në Shqipëri me mamanë time. Kam një mikeshë që ka bashkëshortin shqiptar dhe kjo më shtyu.” – rrëfeu sociologia.

Për më tepër ju ftojmë të ndiqni intervistën e plotë në YouTube, Abc News Albania.


Shtuar 15.03.2022 18:21