Veliaj për dyshen Berisha-Meta: Nuk e vënë emrin në fletë votimi, se njeri ka hallin e dosjes së Sigurimit, tjetri eshte non grata

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj thotë në Report Tv se betejën për kryeqytetin e ka me Ilir Metën, i cili hallin më të madh e ka dosjen e Sigurimit të Shtetit. Në një intervistë për emisionin ‘Konstrast’, Veliaj thotë se kjo është arsyeja përse Meta nuk vendos emrin e tij në fletën e votimit për zgjedhjet e 14 majit.

“Ti nuk mund të thuash që një parti që paguan 100 mijë euro me të gjithë atë shpenzim është parti pa para. Ajo është një parti që qartazi financohet mirë. Nuk e dimë ende nga, por i regjistruar për ti shpenzuar para është vetëm Ilir Meta. Ne nuk e dimë me kë po kandidojmë. Aty nuk ka një emër drejtuesi. Kush e drejton këtë forcë amorfe? Është si të thuash e kam makinën, por pa targë. Pa targë ti nuk del dot nga parkingu i Report TV. Njerëzit, policia do të dijë kush është targa jote, në emër të kujt është kjo makinë. Kjo forcë politike ka provuar që vret edhe njerëz në bulevard, hedh edhe Gërdecin.

Qytetarët duan të dinë: Kush është tek emri i tyre? Këtu lind problem. Ne kemi potencialisht një kundërshtar që quhet Ilir Meta I cili hallin e vet më të madh ka dosjet e Sigurimit të Shtetit dhe e kuptojnë që me ligjin e ri nuk mund të kandidojnë në të ardhmen ose do jetë shumë e vështirë që një ish Sigurims të drejtojë një forcë politike.

Qartazi është hall se përderisa nuk vënë emrin. Unë jam shumë krenar për emrin tim. Nuk jam perfekt, kam bërë edhe unë gabimet e mia, ka gjëra që mund të bëjmë mirë por në fletë votimi do jetë: Erion Veliaj – PS tek kandidatët dhe Partia Socialiste-Edi Rama tek Këshilli. Në anën tjetër ne nuk e dimë kush është emri. Saliu s’e vë dot sepse është non grata nga amerikanët, kurse Ilir Meta është non grata nga demokratët. Nuk ka rëndësi si quhet kukulla e radhës. Njëherë kukulla quhej Lulzim Basha, kur kukulla filloi të mendonte vetë, e patë si përfundoi”, tha Veliaj.


Shtuar 17.04.2023 14:53