DEBATET/ Dritëroi i vdekur fut në sherr Artur Zhejin dhe Pëllumb Kullën
Përpos trishtimit për ikjen e një figure të tillë dhe mesazheve ngushëlluesë, vdekja e Dritëro Agollit ka lënë pas edhe një debat të hapur në lidhje me rolin e tij gjatë regjimit komunist.

Një ndër debatet më të ndezura duket ai mes Artur Zhejit dhe Pëllumb Kullës. Në një shkrim dy ditë më parë, Zheji theksonte se persekutimet ndaj artistëve gjatë regjimit komunist kishin edhe "miratimin" e kreut të Lidhjes së Shkrimtarëve, siç ishte Dritëro Agolli duke e cilësuar atë si kryesues të linjës së kuqe.

“Për brezin e intelektualëve, tashmë të lashtë të viteve ’80, Agolli ishte kryekoka e censurës staliniste shqiptare, në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, kryeroja e zgjuar e linjës politike të kuqe flakë, në letërsi dhe art, që mbijetoi si një dorë e fortë në të gjitha spastrimet më të tmerrshme të viteve ’70-’80, në krizën vrastare të Enver Hoxhës"., - shkruajti Zheji duke sjellë reagimin e fortë të Pëllumb Kullës.

Në një shkrim të një dite më pas të titulluar "Sa mirë bërë që vdiqe o Dritëro!", Kulla thumbon fortë Zhejin duke e cilësuar "zhburr që me zor pret vdekjen e dikujt për të sharë lirshëm".

“Ti, o kritizeri im i pafytyrë dhe ju, o sharamanë pa gravitet tokësor, që kërkoni heroizmat e shkrimtarëve të “realizmit socialist”, nuk ju vjen turp që nuk kryet ju vetë një akt heroik?! Akti heroik nuk ka nevojë as për emra, që ju s’I kishit, as për stilograf, as për penel dhe as për piano e violina. Do t’ju kërkoj pra, atë që i kërkoni Dritëroit dhe Ehrenburgut: Nuk ju vjen turp që keni jetuar në diktaturë?! Dhe as që keni mbetur gjallë nuk ju vjen turp?!"., - shkruan Kulla.


Pjesë nga shkrimi i Zhejit

Zheji në shkrimin e tij e quan Dritëroin “Kryeroja i linjës së kuqe të sistemit”.

“Për brezin e intelektualëve, tashmë të lashtë të viteve ’80, Agolli ishte kryekoka e censurës staliniste shqiptare, në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve, kryeroja e zgjuar e linjës politike të kuqe flakë, në letërsi dhe art, që mbijetoi si një dorë e fortë në të gjitha spastrimet më të tmerrshme të viteve ’70-’80, në krizën vrastare të Enver Hoxhës.]

Kur u internuan dhe u burgosën këngëtarët e Festivalit 11 në Rtsh, kur u burgos dramaturgu Todi Lubonja, Minush Jero apo u internua regjizori i mrekullueshëm, Kujtim Spahivogli që kam patur fatin ta njihja, apo regjisori Mihallaq Luarasi sëbashku me të shoqen, të supertalentuarën Edi Luarasi dhe qindra raste të tjera.

Apo kur u burgos Edison Gjergo, për një pikturë me partizanë që rrinin rreth zjarrit në një mëngjes acari, që më pas u bojatis dhe u shqye. S’po flas për poetët e pushkatuar, për poetët apo shkrimtarët e shtypur dhe të tredhur në heshtje, për intelektualët, që më pas u përzunë si zgjebe nga Shqipëria pas viteve ’90. Dhe të gjitha këto ndëshkime kriminale të Partisë, kishin të paktën një “Ok”, të dorës së parë edhe nga Agolli, që ndërkohë shkruante poemën “Nënë Shqipëri” kushtuar Komandantit të Përgjithshëm Enver Hoxha dhe rrinte kurdoherë në bashin e vendit dhe në bashin e tribunave, me raki dhe kabuni.”

Përgjigja e Kullës

“Çfarë thanë për ty, mund të t’i kishin thënë edhe sa ishe gjallë, edhe bile teksa lëngoje në shtrat. Do të të kishin gjallëruar. Do të të kishin ngritur në këmbë, më mirë se çdo doktor e çdo medikament! Aq revoltuese ishin. Por pritën sa të vdisje. Zhburrat mezi i presin vdekjet se ndihen më komodë pa atë njeriun që shajnë. Vdekjet u vijnë për mbarë shkarashkruesve që këndojnë trimëritë e veta, që mbushin memuarët si ua do qejfi, që shtrembërojnë dhe pikturojnë ca realitete, që të vdekurit nuk ua kundërshtojnë dot.”
Kulla nuk e ndal këtu damkimin për Zhburrat ku në fund shkruan….
“Ti, o kritizeri im i pafytyrë dhe ju, o sharamanë pa gravitet tokësor, që kërkoni heroizmat e shkrimtarëve të “realizmit socialist”, nuk ju vjen turp që nuk kryet ju vetë një akt heroik?! Akti heroik nuk ka nevojë as për emra, që ju s’I kishit, as për stilograf, as për penel dhe as për piano e violina. Do t’ju kërkoj pra, atë që i kërkoni Dritëroit dhe Ehrenburgut: Nuk ju vjen turp që keni jetuar në diktaturë?! Dhe as që keni mbetur gjallë nuk ju vjen turp?!

Sipas tij ata që e akuzojnë janë maskarenj. “Ca bëjnë bè, – dhe nuk kanë pikën e turpit, – se ti veç gjysmën e kohës rrije në Lidhjen e Shkrimtarëve, se gjysmën tjetër e harxhoje në Ministrinë e Brendshme, duke firmosur urdhëra arrestesh e varjesh në litar! Të hartojnë me zell lista mëkatesh me emra shkrimtarësh dhe artistësh që ti duhej t’u kishe dalë zot, sepse ishe çoban i tyre dhe të deshin të kishe protestuar, se ata po dënoheshin për faje që ndëshkonte diktatura, por ti duhej të betoheshe se kjo nuk ishte e vërtetë”-shkruan ai.

Kulla thotë se “Këta që të fajësojnë, o i dashur Dritëro, janë bashkëkohësit e tu. Nuk janë çunakë të rritur tani kur shahen ndyrazi pa ferrë në këmbë, pushtetarë të gjallë e të vdekur. Fajësuesit e tu janë demagogë të paskrupull, që nuk të shajnë ty se, ta zemë, i paske lënë në baltë, kur ata kishin dalë të protestonin se po varej poeti Avzi Nelaj, po burgosej Minush Jeroja, apo syrgjynosej Spahivogli e prisnin t’u dilje në krye ti, me grushtat e tua përpjetë. Nuk ka rëndësi që ata nuk dolën për protesta hiç dhe as u pat vajtur në mend ajo gjë. Ta kërkojnë ty atë heroizëm!”

Kundërpërgjigja e Zhejit
"E lexova shkrimin tuaj dhe parodizimin që më bëje, sidoqoftë me elegancë dhe me rregulla dhe kode, ndonëse me pikëpamje krejt të ndryshme. Porse, si shkrimtar që je, e kishe çuar metaforën në skajin më të skajshëm, duke deformuar, me ose pa dashje, krejt thelbin e shkrimit tim për Agollin. Unë nuk di ndonjë poet apo shkrimtar në botë, që të varroset me ceremoni shtetërore, përveçse në Kinë ose në Korenë e Veriut ndoshta…

Shteti dhe poeti, janë gjithmonë “në sherr” me njeri tjetrin. Mirëpo kur shteti dhe qeveria, të bën një ceremoni të tillë, dëshmon një qëndrim politik dhe jo një ngushëllim njerëzor, për “poetin e ëmbël”, që nuk mund të jetë i ëmbël edhe për shtetin, edhe për lexuesin njëherësh". [...] Është tepër e shtyrë në krahasimin tënd, që unë po kërkoja llogari ndaaj Agollit të ndjerë, si Themije Thomait, që është në të vërtetë një grua e qetë dhe e urtë, apo po shkroja qiqra në hell, duke kërkuar nga Agolli i ndjerë, që të mos ishte Agolli që ishte dje.

Mua më shqetëson shteti që kërkon simbole dhe ndërton simbolika që përputhen me stigma të Diktaturës apo post diktaturës komuniste”. [...] Nejse, zoti Kulla, shëndet e të mira dhe të fala kujt të duash. Në të kaluarën, paroditë e tua dhe komeditë që ngjizje në Fier apo edhe të tjera, i kemi ndjekur me simpati, paçka se sot, jam i përshkruar prej jush, si më antipatiku i personazheve"- shkruan ai.





Shtuar më 08/02/2017, ora 10:56

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori