Debat tek Siguria: Në "pension" 55 vjeç, kategoritë e policëve që preken nga ligji i ri
Për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës dhe SHÇBA-së (Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat) mbi 55 vjeç dhe që i kanë 30 vite punë nën uniformë, Ministria e Brendshme ka hartuar një ligj që u mundëson të lënë shërbimin dhe përfitojnë gjysmën e rrogës, deri në momentin e daljes në pension.policia1

Në relacionin e paraqitur në Kuvend të projektligjit mbi “Trajtimin financiar të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme, pas ndërprerjes së marrëdhënieve të punës”, thuhet se një nga qëllimet është përmirësimi i Policisë edhe në fusha ku kërkohen cilësi të caktuara fizike dhe intelektuale. Gjithashtu, kërkohet që mosha mesatare e policëve të ulet akoma dhe më shumë.

“Aktualisht, mosha mesatare e punonjësve të strukturave të sipërpërmendura është mbi 45 vjeç. Me miratimin e këtij projektligji për një periudhë prej 3 vitesh mosha mesatare e punonjësve, kryesisht të Policisë, ulet mesatarisht me 2 vite”, thuhet ndër të tjera në relacion.

Po ashtu, në dokumentin bashkangjitur projektligjit theksohet se numri i punonjësve që aktualisht plotësojnë kriteret dhe preken nga ky projektligj është në total 613. Nga këta, 585 punonjës janë në Policinë e Shtetit, 21 në Gardë dhe 7 në SHÇBA.

KUNDËRSHTITË E DEPUTETËVE:

Për të sqaruar ligjin, qëllimin, kriteret dhe kategoritë që do të preken, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ishte në Komisionin e Sigurisë, ku nuk ishin të vogla rezervat edhe nga deputetët e maxhorancës.

Në mungesë të zërave kundërshtues nga opozitarët e Parlamentit, ishin socialistët Sadi Vorpsi, Xhemal Qefalia, por edhe deputeti i Shkodrës, Luan Harusha, që nuk i kursyen rezervat e tyre më lidhje me këtë projektligj, duke nxjerrë në pah disa pika të paqarta të tij.

I pari që shfaqi objeksionet e tij ishte deputeti Sadi Vorpsi, që ndër të tjera kërkoi që në këtë ligj të përfshihen edhe punonjësit e Zjarrfikësve, të cilët kanë moshë mesatare edhe më të lartë se Policia.

“Për sa i përket pr/ligjit, unë sugjeroj që të ketë një ndarje të qartë mes strukturave operuese dhe atyre drejtuese e komanduese. Mosha 55 vjeç të jetë e përcaktuar për forcat operuese në terren, pasi kjo kërkon një moshë të re që t’i përgjigjen edhe fizikisht detyrës.

Për personelin drejtues duhet të ketë përjashtim, pasi në këtë moshë për drejtuesit, çdokush është në kulmin e pjekurisë dhe mund të japë shumë. Më çudit edhe përfshirja e punonjësve të SHÇBA-së, pasi ata mund të hetojnë edhe pas moshës 55 vjeç. Në këtë projektligj duhej të ishte përfshirë edhe personeli zjarrfikës”, tha Sadi Vorpsi.

Ndërsa Luan Harusha u shpreh më i prerë, duke kërkuar që ligji të rishikohet edhe një herë, më pas të kalojë në Komision dhe pastaj në seancë plenare, duke lënë të nënkuptohet se në mënyrën aktuale të formulimit ai ishte kundër.

“Ky ligj lë vend për të abuzuar me atë komisionin që mund të ngrihet në ministri, sepse nuk ka ligj për mbrojtjen e punonjësit të Policisë. Pse të mos forcohet ai komisioni i testimeve fizike dhe rregullat të jenë më të forta? Pse të mos përfshihen zjarrfikësit apo edhe policët bashkiakë. Unë mendoj që ky ligj duhet të rishikohet edhe një herë”, tha Luan Harusha.

PËRGJIGJJA E MINISTRIT

Këtyre kritikave dhe sugjerimeve nga deputetët e PSsë, ministri Lleshaj iu përgjigj se diskutimi ishte bërë edhe në qeveri dhe ishin marrë parasysh të gjitha, por ekspertët kishin dalë në këto përfundime, siç dhe projektligji është hartuar. Më tej, pasi dëgjoi të gjitha vërejtjet, ministri Lleshaj nuk ngurroi t’u përmendte deputetëve socialistë se ky propozim vjen nga qeveria dhe se duhet vazhduar përpara me miratimin.

“Çështja e abuzimit u lakua shumë. Kushdo që ka kompetenca për të marrë vendime, ka risk për të abuzuar, por kushdo ka përgjegjësi për vendimin që merr. Nuk mund të them se s’mund t’i japim kompetenca askujt, se ai mund të abuzojë dhe ky nuk është argument.

Ne duam që policët të largohen nga uniforma e Policisë së Shtetit pa rënë nën ndikimin e krimit dhe duam që të rinojmë Policinë, pasi kemi një Polici të plakur, që i shërben një popullsie të re. Ne mendojmë se qëllimet bazë të këtij ligji arrihen, pra trajtimi dinjitoz i punonjësve të Policisë dhe ulja e moshës së Policisë. Dhe për këto çështje janë bërë debate shumë më të ndezura në qeveri dhe janë ezauruar.

Besoj se drafti ka ardhur në emër të qeverisë. Ky është një instrument menaxhimi që i jepet në dorë Policisë së Shtetit për të menaxhuar strukturën e personelit të saj. Pra, në rast nevoje mund të nxjerrë personat që kanë mbushur moshën 55 vjeç, por në rast nevoje mund t’i mbajë ata. Nuk është automatike kjo dalje”, tha ministri Lleshaj.

KRITERET DHE TE PREKURIT

Numri i punonjësve që aktualisht plotësojnë kriteret për përfitim të trajtimit financiar sipas kritereve të parashikuara në këtë projektligj është në total 613 punonjës.
Nga Policia e Shtetit 585 punonjës, nga këta 398 me gradën “Inspektor”.

Garda e Republikës, 21 punonjës.

Nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave në Ministri, 7 punonjës.

Neni 4 përcakton kriteret e përfitimit të trajtimit financiar në strukturat e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, konkretisht:

Të kenë plotësuar moshën 55 vjeç dhe të kenë kryer 30 vite shërbim në strukturat e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Brendshme apo struktura të tjera shtetërore me gradë.

Kjo e fundit, për arsye se ka punonjës që kanë ardhur në
strukturat e sipërpërmendura nga institucione ushtarake apo institucione të tjera të sigurisë dhe një pjesë të vjetërsisë në punë e kanë në këto struktura.

Trajtimi financiar është në masën 50% të pagës mujore neto, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës me shërbimin përkatës.

Trajtimi financiar pas ndërprerjes së karrierës përfitohet me kërkesë të punonjësit, ose kërkesë të titullarit të institucionit përkatës dhe miratohet nga Komisioni i Posaçëm. /panorama

Shtuar më 09/05/2020, ora 18:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori