Debat, "Shkupi 2014 - Krim mbi fene dhe kulturen Islame"
Albeu.com
Myftinia e Shkupit sot edhe njëherë ka kërkuar nga qeveria e Gruevskit që të lejojë rindërtimin e xhamisë Burmali në sheshin e Shkupit, meqë kjo dhe është kërkesë imediate e myftinisë së Shkupit dhe gjithë besimtarëve mysliman në vend.
Këto komente u bënë gjatë tryezës së rrumbullakët të organizuar nga myftinia e Shkupit me temë ‘Projekti Shkupi 2014 - Krim mbi fenë dhe kulturën Islame’.

Valon Bela, kryetar i OJQ-së ‘Realiteti’, pjesëmarrës në këtë tryezë, tha se ‘Shkupi 2014’ është projekt i një partie e cila po promovon vetëm një religjion, kulturë dhe etnitet dhe se e njëjta po dëshiron të shkaktojë diskriminim fetar.
“Këtij kryeministri duhet ti thuhet stop, për fat të keq duke toleruar ne goditje, bryla, kemi ardhur në këtë pozitë. Nuk jemi duke kërkuar diçka nga qielli por po kërkojmë atë që na takon, shkurt dhe shqip, xhamia Burmali do të ndërtohet me ose jo lejen e qeverisë. Kjo qeveri nuk është funksionale dhe nëse vazhdon kështu ne do ti ftojmë në padëgjueshmëri qytetarët që jo vetëm ta bojkotojnë këtë qeveri, po as tatim mos të paguajnë”, u shpreh Bela.
Ndërkohë, analisti Ismet Ramadani pjesëmarrës në këtë tryezë tha se nisma e djeshme e realizimit të programit për revitalizimin e Çarshisë së Vjetër nuk është asgjë tjetër përveç se hedhje pluhur syve popullit shqiptarë.
“Qeveria tani kur pa reagime të këtilla bën çmos pra që projektin Shkupi 2014 ta zbutë në opinioni shqiptarë në kuptimin që të defokuson vëmendjen e shqiptarëve se kinse tash do të fillojë revitalizimi i Çarshisë, ju e keni vendin aty dhe në atë projekt nuk tregohet se çka ndërtohet dhe çka rinovohet, çka revitalizohet dhe sa miliona ndahen dhe kjo është një hedhje e pluhurit në sy...”, shtoi Ramadani.
Projekti i Çarshisë, sipas kryeministrit Gruevski, është vazhdimësi e projektit Shkupi 2014.
“Mund të thuhet në një farë mënyre se ky projekt është një pjesë tjetër e projektit ‘Shkupi 2014’, një vazhdimësi e tij, sepse ai ka dy aspekte ku njëri është Sheshi dhe tjetri Çarshia e Vjetër e Shkupit ku nëpërmjet tij do të ruhet ambienatiteti, tradita dhe do të shkohet drejt reanimimit dhe revitalizimit të Çarshisë së Shkupit”, tha Nikolla Gruevski – kryeministër.
Paralajmërimi për ndërtimet e reja në sheshin e Shkupit në kuadër të projektit “Shkupi 2014” ka alarmuar edhe sektorin civil si dhe partitë politike opozitare, kurse shumica nga to vlerësojnë se ky projekt po shkakton përçarje ndëretnike dhe ndërfetare në vend. (Valmir Kuçi, alsat-m)
Shtuar më 18/02/2010, ora 23:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori