Dasmorët hapin probleme për sigurinë rrugore, Policia bën apel
Policia Rrugore ka apeluar ndaj të gjithë qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm gjatë lëvizjeve në rrugë, kryesisht në ato zona, ku fluksi i qytetarëve është i lartë me qëllim parandalimin e çdo fatkeqësie të mundshme.

Me një porosi të veçantë, Policia Rrugore u drejtohet qytetarëve, të cilët janë faktuar me foto dhe video se me karvanët e dasmave në zonat e banuara jo vetëm që shkelin ligjin duke përdorur boritë në mënyrë të pa nevojshme, por në të shumtën e rasteve kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve gjatë gjithë segmenteve ku ata lëvizin.

Apeli i Policisë drejtuar qytetarëve:

Këto ditë pushimesh shërbimet e Policisë Rrugore vazhdojnë të jenë të angazhuara, kryesisht në menaxhimin e trafikut në akset rrugore të vendit, sidomos në zonat turistike në afërsi të plazheve dhe zonat rrugore bregdetare. Me ndihmën e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve, trafiku është përballuar duke mos krijuar bllokime dhe radhë të gjata. Ndërkohë që kemi vënë re shqetësime në mjaft raste, në të gjithë qendrat e banuara dhe në kryeqytet, pasi në këtë sezon shtohen karvanet me makina të dasmoreve të përbërë nga mjete që qarkullojnë:

Me shpejtësi të ulët duke penguar mjetet e tjera;

Pasagjerë që dalin nga dyert e mjeteve në mënyrë të hareshme, duke rrezikuar dukshëm sigurinë e tyre dhe të qytetarëve të tjerë në trafik;

Mjete që në mënyrë abuzive, krejtësisht të panevojshme përdorin sistemet zanore (boritë) duke shkelur ligjin dhe duke shqetësuar banoret me “ndotje zanore” të panevojshme;

Në mjaft raste janë vërejtur pasagjerë (dasmorë) në kamioncina ku ndodhet orkestra, të cilët qëndrojnë në këmbë në karroceri, ndërkohë që mjeti është në lëzizje dhe çdo frenim i mjetit sjell rrëzimin e tyre;

Shumicën e rasteve, nga mjetet e dasmorëve janë evidentuar drejtues që tejkalojnë kufijtë e shpejtësisë;

Shërbimet e Policisë Rrugore ftojnë qytetarët që të sillen dhe të festojnë në mënyrë të përgjegjshme në rrugë, si drejtuesit e mjeteve ashtu dhe pasagjerët. Edhe në të tilla raste siguria e tyre është prioritet i shërbimit të Policisë Rrugore, ndaj nuk do të tolerohen sjellje që cenojnë dukshëm standardin e sigurisë rrugore.

Policia Rrugore ka filozofinë e policimit në bashkëpunim me komunitetin rrugor dhe në këtë kuadër mirëpresim çdo foto dhe video të rasteve të tilla abuzimi në rrugë nga karvanët e makinave të dasmorëve, me qëllim marrjen e masave administrative në përputhje me normat e Kodit Rrugor, duke kontribuuar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore. Dasmat janë momentet më të spikatura dhe të bukura për njerëzit. Le të sillemi në mënyrën e duhur që ato të mbeten të tilla!

Siguria rrugore është e para!
Shtuar më 04/08/2019, ora 17:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori