Dash Shehi: Rrugët, të mbushura me mllef ndaj Rilindjes
Deputeti dhe kreu i LZHK-së Dashmir Shehi ishte i ftuar në studion e lajmeve në Fax News ku tha se është plotësisht dakord me djegien e mandateve.

Sipas Shehit korrupsioni i qeverisë Rama, ka bërë që ky vendim në dukje radikal i opozitës, të jetë rruga e vetme për garantimin e zgjedhjeve të lira në vendin tonë.

Vetëm protesta nuk ishte e mjaftueshme, ishte vetëm nisja e një aksioni të ri, që kërkon ndryshime radikale. Nisur nga kjo ne kemi menduar se qytetarët kanë nevojë për një reagim serioz, se nuk ka më kuptim që ne të shkojmë në parlament dhe të diskutojmë sikur nuk ka ndodhur asnjë për peshkimin.

Ne besojmë që ditën e enjte do të rritet intesiteti i protestës, ndikuar dhe nga djegia e mandateve. Vjen në një moment që nuk ka më kuptim bojkoti, të cilët e kemi aplikuar në këto muaj. Duke qenë se kjo ndodh për herë të parë, do të shohim se cili do të jetë rezultati.

Kishte nevojë që ky vendim të maturohej, dhe nuk mund të ndërmerrej në kohën kur ishte protesta e studentëve. Duhet krijuar një protestë e madhe që të ketë brenda të gjitha kauzat, nga studentët, te Teatri dhe te Astiri”, u shpreh deputeti.

Shehi tha se qeveria tranzitore do të garantonte integrimin e vendit, ndryshe nga sa shprehen disa përfaqësues të BE-së, dhe shtoi se në fund të këtij viti vendi do jetë gati për zgjedhje.

“Ne gjykojmë që një qeveri tranzitore nuk e rrezikon aspak integrimin, por e afron atë. Jam i sigurt që dhe Europa që bën tani zhurmë do ta pranonte këtë. Do ishte shumë e rëndësishme kjo, që askush të mos i binte gjoksit dhe të thoshte se e bëra unë këtë. Qeveria tranzitore do të sillte në hullinë e duhur dhe Reformën në drejtësi.

Qeveria tranzitore do të ketë të gjithë të drejtën morale për të goditur krimin majtas dhe djathtas dhe do të kemi mundësi që për herë të parë të shkojmë në zgjedhje me fushën e pastruar. Unë mendoj se deri nga fundi i vitit do të ishte një kohë e mjaftueshme për të pasur zgjedhje. Unë mendoj se ka nevojë dhe për një përmbysje figurash, dhe nëqoftë se jemi njerëzit e njëjtë ne duhet të mendojmë ndryshe për të bërë ligjet.

Më shumë sesa aftësia e opozitës sheshin e ka mbushur mllefi që kanë njerëzit ndaj kësaj qeverie. Ne mund të rrinim me ditë të tëra aty, por numrat nuk mund të ishin të njëjta. Në një masë prej 100 mijë vetësh, mund të ketë dhe një numër të vogël që mund të shfaqin elemente të dhunës.

Për ato që marrin vesh nga ekonomia, në Tiranë po ndërtohen nja 20 kulla, që kushtojnë nja 200 milionë investime, kjo është ajo që thotë qeveria që është rritja ekonomike. Kjo nuk sjell asnjë të ardhur në xhepat e qytetarëve shqiptarë, përveç muratorëve që nxjerrin vetëm bukën.

Kush mund ta blejë një apartament me 2000 euro metri katror, njësoj si të ishim në Firence. Niveli i kredisë nga bankat ka rënë, nga na erdhën të gjitha këto para? Ekonomia nuk ka pikën e prespektivës, gjithçka do të rrënohet brenda vitit të ardhshëm”, u shpreh më tej Shehi.
Shtuar më 19/02/2019, ora 10:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori