Danimarka do te pranoje punetore nga Kosova
Albeu.com
Ministri i Punës i Danimarkës, Frederiksen, shprehi gatishmërinë e vendit te tij për të pranuar punëkërkues stinorë nga Kosova ne Danimarke dhe shtoi se së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje bilaterale ndërmjet dy ministrive homolge.Zëvendës Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Gjergj Dedaj qëndroj për një vizitë të shkurtër pune në Kopenhagë me ç’rast u prit nga Claus Hjort Frederiksen, ministër i Punës së Danimarkës, ku bisedoi për gjendjen sociale të popullatës kosovare, shkallën e lartë të papunësisë, zbutja e së cilës kërkon zgjidhje dhe përkushtim të gjithanshëm të institucioneve të Republikës së Kosovës, por edhe ndihmën e qeverive të vendeve të cilat e kanë njohur Kosovën.
Zëvendës/ministri Dedaj ritheksoi se për Qeverinë e Kosovës është prioritet hapja e vendeve te reja të punës dhe inkurajimi i kompanive vendore dhe ndërkombëtare për te investuar në këtë drejtim. Mirëpo, përderisa nuk krijohen rrethanat e favorshme për investime dhe zhvillim ekonomik të Kosovës, do te ishte e dobishme që punëkërkuesve kosovarë t’iu mundësohet punësim sezonal në tregun e punës në Danimarke,vendet e BE-së dhe me gjerë. Këto masa emergjente, sipas zv/ministrit Dedaj, do ta ulnin shkallen e papunësisë dhe do ta garantonin qetësinë sociale, stabilitetin politik dhe ekonomik në Republikën e Kosovës.

Ministri i Punës i Danimarkës, Claus Hjort Frederiksen, shprehi gatishmërinë e vendit te tij për të pranuar punëkërkues stinorë nga Kosova ne Danimarke dhe shtoi se së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje bilaterale ndërmjet dy ministrive homolge në fushën e punësimit dhe mirëqenies sociale.

Me rastin e qëndrimit në Danimarkë zv/ministri Dedaj u prit edhe ne Ministrinë e Punëve të Jashtme të Danimarkës, ku kërkoi fillimin e procedurave për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në Danimarkë dhe Bashkimin Evropian ngase, sipas tij, lëvizja e lire e njerëzve, mallit, ideve, dhe e kapitalit është parakusht për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe të stabilitetit rajonal e me gjerë, thuhet në një kumtesë për opinion të lëshuar nga Zyra për informim pranë MPMS. (rtk)
Shtuar më 14/10/2008, ora 15:06
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori