Dërgimi i misionit të KS në Kosovë dhe Beograd, nuk do të lejohet të p&
Albeu.com
Zëvendësshefja e misionit të Britanisë së Madhe në OKB, Karen Pierce, ka thënë se dërgimi i një misioni të KS të OKB-së në Kosovë dhe në Beograd, nuk do të lejohet të përdoret si justifikim për shtyrje të procesit të zgjidhjes së statusit.Pierce, në një intervistë me BBC-në, tha se çfarëdo shtyrje e zgjidhjes së statusit të Kosovës, është destabilizuese dhe nuk do të mund ta ndryshojë rezultatin përfundimtar.
Zëvendësshefja e misionit të Britanisë së Madhe në OKB, Karen Pierce, ka thënë se është faza e parë e shqyrtimit zyrtar në Këshill të Sigurimit të paketës së Ahtisaarit. Por nuk ishte asgjë më shumë se sa hapi i parë.
Shumë pikëpamje janë shfaqur, askush nuk e ka kundërshtuar paketën dhe askush nuk ka kërkuar ndërrimin e zotit Ahtisaari, sikundër është sugjeruar kohë pas kohe në disa pjesë të mediave.

Askush nuk ka kërkuar një proces të ri brenda Këshillit të Sigurimit dhe kjo është inkurajuese.

Ka dallime në pikëpamje në mes një numri të vogël të vendeve që ende nuk janë bindur se procesi i bisedimeve është shterur plotësisht dhe të vendeve që kanë pikëpamje të kundërt.

Këto të fundit janë vendet perëndimore që kanë qenë të përfshira në Kosovë dhe në Ballkan për një kohë të gjatë dhe që kanë një njohuri të mirë me gjendjen në terren.

Kishte një përkrahje të plotë për përpjekjet e Ahtisaarit dhe të ekipit të tij dhe një numër delegatësh e përkrahën paketën dhe përfundimet e tij, që janë paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm, pra një pavarësi e mbikëqyrur si e vetmja zgjidhje praktike.

Unë nuk do ta quaja si ndarje, por si një fillim të procesit dhe se do të ketë konsulta të tjera brenda Këshillit si të procedohet më tutje.

Duke folur lidhur me dallimet e qasjes ndaj Kosovës mes Britania së Madhe e SHBA-ve në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër, Pierce ka thënë se qëllimi është të arrijmë një konsensus në Këshillin e Sigurimit meqë kjo është mënyra më e mirë për të ecur përpara dhe gjëja më e mirë për stabilitetin rajonal.

Ne duam që të punojmë ngushtë me Rusinë në Grupin e Kontaktit, ashtu siç kemi bërë që kur ishte hartuar Rezoluta 1244 në vitin 1999.

Kjo gjithnjë është bërë në kuadër të Grupit të Kontaktit, procesi i standardeve është bërë në të njëjtën mënyrë, i përkrahur nga Këshilli i Sigurimit, vlerësimi i standardeve është bërë nga Grupi i Kontaktit me përkrahjen e KS, raporti i Kai Eides gjithashtu si dhe në fund emërimi i të dërguarit të posaçëm, Martti Ahtisaari.

Mandati i tij dhe puna që ka bërë kanë pasur mbështetjen e plotë të Grupit të Kontaktit dhe janë përkrahur përmes deklaratave presidenciale të KS.

Rusia, BE-ja dhe SHBA-ja kanë pasur njerëzit e tyre në ekipin e Ahtisaarit, në UNOSEK. Prandaj ne duam që të punojmë së bashku përmes Grupit të Kontaktit dhe në KS.

Rusët kanë disa pikëpamje të kundërta, pjesërisht ato janë historike dhe pjesërisht ato rrjedhin nga qasje nacionale, por ne vazhdojmë të bisedojmë me ta edhe në Grupin e Kontaktit edhe në New York.

Siç e thashë, ne duam ta bëjmë këtë në bashkëpunim me Rusinë dhe duam që ajo të përfundojmë atë që ka filluar me procesin e Rezolutës 1244 në Grupin e Kontaktit. Prandaj ne duam që të punojmë në mënyrë konstruktive me ta.

Lidhur me dërgimin e misionit të KS në Kosovë dhe Beograd, dhe, mos shihet kjo si një mosbesim ndaj misionit të OKB-së në Kosovë, që ka raportuar shumë shpesh për punën e bërë dhe për procesin që është kryer, Pierce ka thënë se askush nuk duhet të frikësohet nga misioni i OKB-së në Kosovë ose në Beograd. Këshilli i Sigurimit ka qenë në vizitë më parë, Grupi i Kontaktit Plus rregullisht është atje dhe unë kam qenë pjesë e tij kohë më parë.

Grupi i Kontaktit Plus ka qenë në Beograd. Do t'i inkurajoja qytetarët në rajon që ta shohin misionin e KS si shprehje të interesit të tij për ngjarjet në rajon, marrë parasysh se ne jemi duke marrë një vendim për Kosovën në Këshillin e Sigurimit. Ne natyrisht se shpresojmë se Këshilli do ta aprovojë atë.

Unë do të thosha se në këtë rrafsh, misioni nuk mund të merret si një arsyetim për shtyrje, ne nuk do ta shtyjmë shqyrtimin e propozimit të Ahtisaarit për të diskutuar për misionin e Këshillit të Sigurimit.

Mendoj se është një hap që duhet mirëpritur faktin se përfaqësuesit e KS donin të shihnin vetë se çfarë ndodh në Kosovë.

Pierce ka thënë se misioni është një pjesë e rregullt e angazhimeve të Këshillit të Sigurimit rreth çështjeve që janë në agjendën e tij.

Ishte e qartë që nga mbledhja se një numër i anëtarëve të Këshillit të Sigurimit donin ta shihnin vetë se cila është gjendja në Kosovë dhe në Beograd.

Mendoj se çdo gjë që do të ndihmonte në plotësimin e njohurive të njerëzve për rajonin, është e dobishme.

Ne do të luajmë një rol konstruktiv në atë mision. Do të nënvizoja se ne nuk do të lejojmë që kjo të shfrytëzohet si pretekst për të shtyrë angazhimin e KS rreth propozimit të zotit Ahtisaari.

Duke folur lidhur me mundësinë e ndikimit të raportit të këtij misioni mbi propozimin e Ahtisaarit dhe ndryshimin eventual të tij, Pierce ka thënë se këto janë dy çështje për të cilat nuk beson se janë të ndërlidhura.

Këshilli i Sigurimit do të takojë një numër të udhëheqësve në Beograd dhe Prishtinë, në të njëjtën mënyrë që Grupi i Kontaktit Plus bën, ose ambasadorët e NATO-s dhe përfaqësuesit e BE-së, të sektorit politik e atij të sigurisë, e kryejnë vizitën.

Nuk ka asgjë të pazakonshme në këtë dhe mendoj se në përgjithësi duhet mirëpritur ky angazhim... Kjo është pjesë e zakonshme e diplomacisë shumëpalëshe.

Natyrisht ne duam që misioni i KS të konsultohet me kryeadministratorin Joachim Ruecker për atë se me kë duhet të takohet në Kosovë dhe shpresojmë se do të takojë një numër njerëzisht, shqiptarë dhe serbë të Kosovës.

Ne shpresojmë se edhe në Beograd do të kenë mundësi të takojnë një numër njerëzish, përfshirë edhe ata që duan ta fusin Serbinë në një periudhë të re dhe moderne në raport me Evropën.

Dua që me këtë rast të them se çështja e Kosovës ka të bëjë edhe me të ardhmen e Serbisë dhe me çështjen se deri në çfarë mase Serbia do që të ketë një të ardhme moderne në Evropë.

Por duke dëgjuar një pjesë të udhëheqësve të Serbisë ndonjëherë kjo gjë vihet në dyshim. Mendoj, prandaj se misioni i KS do që të dëgjojë edhe këtë gjithashtu, ka thënë znj. Pierce.

Sa i përket pyetjes nëse propozimet e presidentit Ahtisaari do të mund të ndryshohen, unë mendoj se ato do të mund të ndryshoheshin në disa hollësi nëse dikush do të kishte propozime më të mira për to.

Dhe unë mendoj se presidenti Ahtisaari nuk do të kishte asgjë kundër për ta ndryshuar pjesën teknike të propozimeve të tij nëse dikush do të paraqiste një plan më të mirë, ose të paktën të barabartë me këtë, që do të ofronte zgjidhje për nevojat praktike.

Ju do të duhej ta pyesni atë, por me sa e kuptoj unë në ato çështje si janë decentralizimi ose mbrojtja e objekteve fetare, nëse dikush do të kishte një ide më të mirë ose një ide të ngjashme dhe të vlefshme, atëherë presidenti Ahtisaari nuk do të kishte asgjë kundër që ta rivlerësonte atë.

Mendoj se ishte shumë e qartë që nga letra që i kishte dërguar Sekretarit të Përgjithshëm dhe aprovimit të asaj letre, se nën çfarëdo rrethane ai e sheh vetëm një zgjidhje praktike për statusin, pra jashtë pjesës teknike, dhe sipas gjykimit të tij kjo është pavarësi nën mbikëqyrje ndërkombëtare.

Presidenti Ahtisaari e bëri shumë të qartë para anëtarëve të KS se ai nuk sheh asnjë perspektivë se ndonjë zgjidhje tjetër do të funksiononte.

Ne gjithnjë kemi thënë se do të mbështesim punën e zotit Ahtisaari dhe zgjidhjen që do ta nxjerrë ai, ka thënë Pierce.

Sipas definicionit, ne e mbështesim atë në zgjidhjen që nënkupton pavarësi me mbikëqyrje ndërkombëtare.

Kjo nuk nënkupton se ne si Mbretëri e Bashkuar kemi ndikuar për të arritur këtë qëllim, megjithëse është e vërtetë se gjatë një viti të kaluar ishte rritur numri i opinionit ndërkombëtar, në vende të ndryshme, që arritën në përfundim se një lloj i pavarësisë, sikur kjo që presidenti Ahtisaari ka rekomanduar, është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme nëse duam që të mbajmë stabilitetin në rajon.

Duke folur për rezolutën e re për Kosovën dhe kur mund të pritet ajo, Pierce ka thënë se po vazhdojnë kontaktet mes kryeqyteteve dhe në Grupin e Kontaktit. Ajo ka shfaqur mendimin se kjo do të zgjasë pak më shumë dhe se askush s'duhet të mendojë se Rezoluta duhet të vijë në New York menjëherë. Në të njëjtën kohë kjo nuk është një çështje që ne do ta zvarrisim sepse kjo gjithashtu nuk i ndihmon stabilitetit rajonal.

Mendoj se do të duhen edhe disa javë deri sa të arrijë në New York dhe tani janë kontaktet në kryeqytete dhe në veçanti në Grupin e Kontaktit se si të ecet përpara.

Pierce nuk ka dashur të paragjykojë se çfarë do të përmbajë Rezoluta por ka thënë se qëllimi është të kemi një Rezolutë që do të mundësojë një prani ndërkombëtare civile dhe ushtarake, siç e ka paraparë presidenti Ahtisaari, që të funksionojnë ashtu siç kanë funksionuar NATO dhe UNMIK-u sipas Rezolutës 1244.

Pra, kjo prani e re ndërkombëtare, do të zëvendësojë praninë e deritashme që ka funksionuar sipas Rezolutës 1244, kjo mbi bazën ligjore sepse shumë nga rolet dhe funksionet do të jenë të ngjashme, në veçanti kur bëhet fjalë për sigurinë.

Ne gjithashtu do të shikojmë të gjejmë një mënyrë të mirë, të preferuar dhe mundësisht me konsensus për Rezolutën, që ajo ta përkrahë zgjidhjen e ofruar nga presidenti Ahtisaari.

Por hollësitë e sakta dhe si do të shkruhet ajo, do të varet nga diskutimet në mes anëtarëve të Grupit të Kontaktit dhe të Këshillit të Sigurimit.

Duke folur për rreziqet e çfarëdo shtyrjeje të zgjidhjes së statusit dhe mundësitë e përshkallëzimit të gjendjes në Kosovë, Pierce ka thënë se Presidenti Ahtisaari e bëri të qartë dhe një numër delegacionesh u pajtuan dhe ne ishim një nga to, se një shtyrje e pajustifikuar do të ishte e padobishme për stabilitetin rajonal.

Prandaj unë u bëj thirrje të fuqishme qytetarëve në Kosovë që të kenë durim dhe kushdo që frikëson me dhunë duhet ta kuptojë se është e padobishme dhe në këtë rrafsh Këshilli i Sigurimit dhe Grupi i Kontaktit nuk mund të bëhen pengje të deklaratave të tilla.

Unë e di se këto deklarime nuk janë të shprehura nga udhëheqësit në Kosovë, por kohë pas kohe dëgjohen deklarata të tilla nga disa koka të nxehta dhe kjo është e pakëshillueshme.

Një shtyrje e vogël, nëse dikush ka një shqetësim të drejtë për pjesën teknike, që ka të bëjë psh., me decentralizimin, ose me mbrojtjen e objekteve fetare, pra një shtyrje e vogël prej disa javësh ose pak muaj, për ta zgjidhur këtë, është e menaxhueshme.

Çfarëdo shtyrje e gjatë ne besojmë se është destabilizuese dhe në fund nuk e ndryshon rezultatin. Në fakt ndikon në rritjen e tensioneve në rajon gjë që nuk është e shëndetshme për vendet në Ballkan, por as për BE-në, ka thënë znj,. Pierce.

Duke komentuar lidhur me kërkesat e Beogradit për vazhdimin e negociatave, Pierce ka thënë se kjo është pyetja më e vështirë për t'u përgjigjur. Presidenti Ahtisaari ka thënë se ai beson se nuk ka asnjë kuptim për vazhdimin e dialogut dhe ne e mbështesim gjykimin e tij sepse ai është i dërguari i emëruar nga sekretari i përgjithshëm me një mbështetje të madhe nga KS dhe Grupi i Kontaktit qe konsultuar për këtë, dhe, prandaj ne e mbështesim.
Ne kemi një besim të madh në të, ka thënë Pierce. Ai ka negociuar në Namibi, Indonezi, në Afrikë dhe në Irlandën Veriore. Prandaj ka një numër vendesh që kanë përfituar në të kaluarën nga përvoja dhe njohuritë e tij. Dhe në këtë rrafsh ne besojmë se Ballkani do të përfitojë shumë nga kjo përvojë dhe njohuri. Nëse ai do të ndjente se ka arsye të mjaftueshme për ta rishikuar sërish pjesën teknike atëherë ne nuk do të kishim asnjë problem me këtë. Ne do ta mbështesim gjykimin e tij. Ai mund të ndjejë se nëse njëra palë do të bënte një propozim të tillë nuk ka asnjë arsye për t'iu kthyer kësaj pjese të zgjidhjes dhe ne do ta mbështesim. Por ajo që dua të them është se ishte e qartë nga mbledhja e KS se askush s'ka bërë thirrje për një proces të veçantë, ose të ri përveç këtij të Ahtisaarit, ka thënë në një intervistë për BBC, zëvendësshefja e misionit të Britanisë së Madhe në OKB, Karen Pierce. rtk
Shtuar më 06/04/2007, ora 13:59
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori