Dalipi revoltohet me PD: Për shpifjet do veprojë ligji
Me anë të një deklarate për mediat, Alfred Dalipi ka reaguar sot në lidhje me akuzat e bëra nga PD për kokainën, e duke i cilësuar si shpifje. Ai kërkon që çdo gjë të faktohet, ose në të kundërt do të veprojë ligji.

Zëvendësministri i Turizmit, njëherësh deputeti i PS, ka reaguar ndaj akuzave, ku sipas PD, dy prej të arrestuarve të rrjetit të trafikut të kokainës, Ardian dhe Klemend Dalipi, janë të afërm të deputetit të mazhorancës. Deputeti Dalipi, i ka cilësuar të gjitha këto reagime si të pavërteta.

“Përfshirja në listën e të ndaluarve nga policia për trafikun e drogës të personave që mbajnë mbiemrin tim, i ka dhënë shkas opozitës së Lazaratit të hedhë insinuata balte ndaj meje dhe familjes sime. Kur një opozitë është në hall të gjejë argumente kundër një qeverie që lufton trafikun, katandiset në argumenta mbiemrash.

Lidhjet e gjakut, të afërta apo të largëta, nuk janë zgjedhja e askujt prej nesh. Zgjedhjet tona janë, përkundrazi, lidhjet që krijojmë çdo ditë e që për mua janë ato me njerëz që ndërtojnë dhe jetojnë jetën me ndershmëri dhe me djersë, ashtu siç unë kam ndërtuar jetën time dhe të familjes sime”, është shprehur ai.

Ai është i hapur që nëse organet kompetente gjejnë qoftë edhe një kontakt të tij me dy vëllezërit e arrestuar Dalipi, atëherë ai do të përballet me pasojat ligjore dhe politike që burojnë nga ligji. Por në të kundërt, deputeti thekson se shpifësit që kanë hedhur akuza ndaj tij, do të duhet të përballen me pasojat ligjore.

"Nëse dikush, jo vetëm nga organet hetimore, gjen qoftë dhe një lidhje mes meje dhe të ndaluarit, qoftë edhe anësore, ndonjë telefonatë, kontakt fizik lidhur me këtë histori, jam gati të përballem me të gjitha pasojat ligjore dhe politike. Të njëjtën gjë duhet të garantojnë edhe lexonjësit e opozitës, që nuk kanë pasur lidhje me këtë histori, përdorimin e kokainës apo financim fushatash të tyre. Në të kundërt, shpifësit dhe përbaltësit e mi do të ndeshen me pasojat ligjore që burojnë nga dëshpërimi dhe impotenca e tyre për tu përballur me betejën e qeverisë kundër drogës". /albeu.com/

Shtuar më 17/01/2015, ora 17:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori