U ul në bankën e fundit teksa Rama jepte leksion, Vuçiçi i përgjigjet “gojave të liga”: Ishte zgjedhja ime

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka reaguar për mediet serbe në lidhje me foton virale, në të cilën ai qendron i ulur në cep të sallës, i distancuar nga pjesa tjetër e panelit, të cilët dëgjojnë Ramën në një nga mbledhjet në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit në Zvicër.

Në lidhje me foton Vuçiçi tha se nuk ka rëndësi se ku ulet, rëndësi për të ka të ketë njohuri dhe të dijë çfarë të flasë.

Vuçiçi tha se ishte zgjedhja e tij të ulej mbrapa, edhe pse të pranishmit atje i kërkuan tre herë të ulej në rreshtin e parë.

“Aty zgjodha ku do të ulesha, edhe pse më kërkuan tre herë të vija në rreshtin e parë, nuk doja. Por kjo është një nga gjërat që është kënaqësi për mua. Kur ke biseda të vështira dhe kur mendon për këtë, për mua është pjesë e argëtimit të mirë, pse jo? Pra, kur sheh se kundërshtarët e tu politikë nuk kanë çfarë të thonë për punën, rezultatet, aftësitë gjuhësore, atëherë mendojnë se kanë fituar diçka duke menduar se të gjithë janë sipërfaqësorë sa ata. Nuk ka rëndësi se ku ulem. Nuk është çështja… Mësuesi nuk do t’ju pëlqejë nëse uleni në rreshtin e parë, është çështje e njohurive tuaja”, tha Vuçiçi.

Ditën e hënë, 16 janar, nisi takimi i i përvitshëm i Forumit Ekonomik Botëror. Qyteti i vogël i alpeve zvicerane po mikpret mbi 2,700 pjesëmarrës, ku ndër ta liderë shtetërorë, drejtues të kompanive më të mëdha në botë dhe aktorë nga shoqëria civile.

Pjesëmarrës në forum është kryeministri Edi Rama, i cili foli dje për sigurimin e infrastrukturave kritike, në kuadër të sulmeve kibernetike që ka përjetuar vendi përgjatë muajve të fundit.
Ndërsa sot, së bashku me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, Rama foli në panelin “Zgjerimi i Horizonteve të Europës”.

Dy liderët ballkanikë floën për nismën e Komunitetit Politik Europian, por edhe për rëndësinë e fqinjëve të Bashkimit Europian në këtë kohë lëvizjesh gjeopolitike./albeu.com/