Dalin dosje të servilëve spiunë komunistë, si sorrollateshin diskove në Beograd
Pëlqej
Beogradi izolonte ambasadën e Kinës. Agjentët T. Beqari e A. Shkodrani çonin raporte në Tiranë edhe për Kinën. Hoxha porosiste: Asnjë incident me jugosllavët!

(Vijon nga numri i kaluar)

Po atë ditë të hënë nga Berlini Lindor kishte mbërritur një telegram urgjent, i cili njoftonte se nuk ishte e domosdoshme prania e dy zbuluesve shqiptarë dhe se punën e parashikuar prej tyre do ta plotësonin me kolegë të vendeve aleate të Traktatit të Varshavës.

Kështu Andrea Shkodrani mbeti në dispozicion të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe filloi punë në Drejtorinë e saj të Zbulimit. I dhanë si sektor “drejtimin jugosllav”, siç me gjuhën profesionale thirrej detyra për të mbledhur informacion prej këtij shteti.

Ishin momente tensionesh të ashpra mes Beogradit dhe Tiranës. Kjo e fundit kishte zbuar nga territori shqiptar një shofer të ambasadës jugosllave, tip shumë provokativ, ndërhyrës i papërmbajtur dhe qëllimisht çoroditës, realisht punonjës i kamufluar i sektorit të zbulimit. Ndërkaq autoritetet e Beogradit patën dëbuar nga Legata Shqiptare Abdyl Ulqinakun, sekretar i tretë i saj, i cili ishte thjesht diplomat dhe nuk qe ndërlikuar me diversion.

I ndiqnin 12 jugosllavë me tre vetura
Ja pse pas gjashtë muajve të punës në MPB njëzetë e pesë vjeçari Andrea Shkodrani bashkë me të shoqen u nisën për në Beograd. Udhëtoi me një Malev, avion të linjës hungareze. Kur mbërriti në kryeqytetin jugosllav, gusht 1961, në Legatë kishte mbetur i Ngarkuari me Punë, Tahmaz Beqari si edhe këshilltari Fejzo Bijo. Prishja e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike ende nuk pati shpërthyer, por qe punë e pak javëve. Andrea pati kohë sa të shkonte njëherë për t’u argëtuar në Klubin Sovjetik, kur grumbulloheshin diplomatët e Kampit Socialist dhe vallzonin. Pastaj gjithçka u rrënua, çfarë rriti edhe më shumë nervozizmin mes Tiranës dhe Beogradit.

Por Legata Shqiptare që kur e kishin emëruar Tahmaz Beqarin (në 1 shtator 1959) mbante një kurs të qartë të dhënë prerë nga Enver Hoxha: të mos shkaktonte asnjë incident me palën jugosllave. Po ashtu punonjësit të mos sforcoheshin në grumbullimin e të dhënave, këto të ishin aq sa mund të bëheshin. Me pak fjalë, porosia ishte të luanin një rol sa më shumë protokollar. Këtë ia theksoi Andrea Shkodranit edhe ministri i Jashtëm Behar Shtylla në takimin zyrtar para nisjes.

Tahmazi, Fejzo dhe Andrea në ditët e para të shtatorit 1961 u gjetën përballë një ngjarjeje shumë të rëndësishme botërore, e cila mbahej në Beograd: Konferenca e Parë e Vendeve të Paangazhuara. Për materialet raportuse të Legatës për këtë takim lexuesin e informuam dje, në pjesën e parë të publikuar të këtij shkrimi.

Sapo mbaroi konferenca Fejzon e kthyen në Tiranë. Tridhjetë e pesë vjeçari, zbulues në profesion, ishte me mjaft përvojë, por përherë i kujdesshëm të mos u jepte asnjë pretekst autoriteteve jugosllave. Ishte pa asnjë lidhje dhe nuk la trashëgim asnjë informator potencial.

Para se në Beograd të vinte me detyrën e shefit të Legatës Tahmaz Beqari, kishte qenë me titullin e lartë të Ministrit Fuqiplotë, një diplomat karriere si Piro Koçi. Atëherë niveli i përfaqësimit, i përmirësuar pas zbutjes së qëndrimit ndaj Titos nga Nikita Hrushovi, ishte ambasadë. Kur rinisi nervozizmi mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, ulën nivelin e përfaqësimit në Legatë, Tirana tërhoqi Piro Koçin dhe dërgoi aty njeriun e situatës emergjente: Tahmaz Beqarin. Në fundshtator 1961 në Legatën Shqiptare në Beograd mbetën vetëm dy: Andrea Shkodrani dhe shefi i tij.

Më falni, nuk e dija se paskam hyrë në mejhane!

Prej platformës paqësore dhënë nga Tirana Legatës Shqiptare në Beograd patën përfituar edhe zbuluesit. Ata e kishin të ndaluar të organizonin rrjet të fshehtë informativ. Me persona të tillë merreshin që nga Tirana. Takimet e punës me këta agjentë në Jugosllavi nuk kryheshin në këtë vend, por në shtete të treta, si në Austri, në Zvicër, në Francë apo në Itali. Po ashtu vetë zbuluesit për ndonjë informacion të hapur, marrë prej bashkëbiseduesish të ndryshëm të paangazhuar në lidhje me ta, nuk u aviteshin shqiptarëve nga Kosova, të cilët në Beograd, sidomos me statusin e studentit, ishin të shumtë. Në asnjë mënyrë nuk mund t’i rrezikonin.

Kjo punë e paqmë u pati krijuar përshtypjen se edhe vetë autoritetet jugosllave nuk u kushtonin vëmendje, të paktën nuk e ndiqnin dhe e vëzhgonin personelin e paktë të Legatës. Edhe në Tiranë, prej ku qe dhënë direktiva për “protokollizëm”, qe krijuer bindja se në Beograd nuk kishte shumë punë për diplomatët shqiptarë, të izoluar edhe nga vendi pritës. Ndërsa çdo fund moti Ministria e Punëve të Jashtme Jugosllave, pas analizës vjetore të punës së saj thërriste një nga një ambasadorët e huaj dhe i vinte në dijeni çfarë mendonin për bashkëpunimin e ardhshëm, shqiptarëve nuk u dërgoi kurrë ftesë.

Një gjendje e tillë indiference reciproke Andrea Shkodrani e vuri re si vetëndjerje jorealiste tek kolegu zbulues që do të zëvendësonte: Fejzi Bijo, kur i bëri pyetjen nëse shërbimet e fshehta jugosllave i survejonin. Absolutisht jo, u përgjigj vendosur ky. Tjetri ngriti shpatullat dhe, duke e ditur se Bijo nuk qe zbulues i specializuar me shkollim profesional, shqiptoi vetëm një “Le të bëjmë një provë”.

Sipas asaj që pati mësuar në Smederovska, brenda disa ditëve, u bë e qartë që ndiqeshin nga 12 persona, me tre vetura, të cilët alternoheshin me njëra-tjetrën që nga mëngjezi deri në orën 22.00 të natës. Më vonë Shkodrani vuri re se kjo njësi herë pas here bënte “pushim”, me siguri e angazhuar në përgjim trupash të tjera diplomatike, por gjithsesi rikthehej shpejt në aktivitet të plotë survejimi ndaj shqiptarëve.

Andrea, doemos, nuk hoqi dorë nga takimet spontane me vendasit, jugosllavët. Ne Beograd ata qenë njerëz të hapët dhe nuk e çanin fort kokën nëse ai u prezantohej se qe punonjës i Legatës Shqiptare. Ata të hapnin vendin në tavolinë, në çdo klub të ndodheshe. Ndërkohë edhe shefi i tij, Tahmaz Beqari, edhe pse vetë vinte nga Ministria e Punëve të Brendshme, tani që ishte i Ngarkuar me Punë, nuk merrej fare me zbulim. Madje as i ndërhynte Andrea Shkodranit. E linte krejtësisht të lirë. E toleronte duke mos e shtrënguar të zbatonte përherë rregullin e zbulimit, sipas të cilit në çdo takim duhej të shkonin dy prej tyre, kurrë vetëm. Sepse edhe po të donte, Andrea në Legatë nuk kishte asnjë koleg, kurse pjesëmarrja e Tahmazit ishte e ndaluar.

I shndërruar në vetëm diplomat politik dhe sigurisht asnjëherë dogmatik, Tahmaz Beqari, duke qenë edhe patriot trim, u bënte jugosllavëve, kur e provokonin, sfida të vërteta. Kur njëherë e thirrën në Ministrinë e Jashtme për t’i komunikuar diçka, ndërsa trokiti në zyrën përkatëse dhe hapi derën, pa se të tre referentët e Ballkanit, përfshi edhe atë që mbulonte Shqipërinë, qëllimisht i kishin kthyer shpinat, ai u tha rrufeshëm: “Më falni, nuk e dija se paskam hyrë në mejhane”.

I ardhur në Beograd, siç ju informuam më parë, në gusht 1961, një vit më pas, me leje të qendrës, për herë të parë, Andrea Shkodrani ngriti një rrjet minimal të fshehtë për thjesht mbledhje informacioni. Në Tiranë kishte lexuar me vëmendje dosjet e bashkëpunëtorëve nga Jugosllavia që mbaheshin në kontakt. Si përherë ai nuk krijoi asnjë lidhje me studentët kosovarë në Beograd. Këta mund t’i gjeje lehtësisht: dëfrenin me shumicë pasditeve në hotel “Moska”.

Beograd, ambasada kineze e izoluar

“Rjeti” i tij shumë funksional dhe konform rregullave të statusit të punës diplomatike u krijua me kontakte që Andrea Shkodrani që pati me disa kolegë të zbulimit nga vendet “revizioniste”, të cilat kishin një të kaluar antisovjetike, si Hungaria dhe Rumania. Bullgarët po ashtu tregoheshin miqësorë ndaj shqiptarëve.

Por kontakte të shumta me diplomatë profesionistë bënte edhe Tahmaz Beqari. Ende pa u prishur marrëdhëniet me BRSS ai në Klubin Sovjetik, njohës i mirë i gjuhës ruse siç ishte, e pasuroi bashkëpunimin me mjaft kolegë të Demokracive Popullore. Ndërkohë u lidh fort edhe me kinezët.

Përfaqësia e tyre në Beograd ishte e madhe, me 75 vetë, por gjatë periudhës së Revolucionit Kulturor veçanërisht diplomatët e huaj kolegët kinezë i mbanin dukshëm të izoluar. Kështu këta më të afërt kishin shqiptarët. Për Legatën e Tiranës kinezët çdo dy javë bënin një darkë dhe me këtë rast, sidomos atasheu i tyre ushtarak, kërkonte ndonjë të dhënë të mbledhur prej kolegëve shqiptarë. Ndërkaq ata vetë pothuaj nuk kishin asgjë për të dhënë, edhe pse në fakt edhe po të dinin qenë natyra tepër të ngurta, shumë të rezervuara.

Ndodhi që njëherë, në ditën kur ambasada bullgare jepte pritjen për festën e saj kombëtare, Andrea Shkodrani të ndodhej fare pranë Vukmanoviç Tempos dhe ambasadorit sovjetik, të cilët po flisnin mënjanë, por çpenguar në tonin e zërit. Ishte viti 1964, kur në Tokio do të mblidheshin në një kongres botëror sindikatat e majta. Tempo i tha kryediplomatit sovjetik: “Mos u bëni merak. Në Tokio delegacionit kinez nuk do t’i dëgjohet fjala, do ta izolojmë”. “Po si do ta bëni?”, pyeti tjetri. “Kemi njerëzit tanë atje”, siguroi Tempo.

Këtë dialog Shkodrani ia përcolli menjëherë Tiranës dhe kërkoi leje nëse mund tua thoshte kinezëve në Beograd. I thanë “po”. Këta u gëzuan shumë nga informacioni që morën, çfarë u jepte mundësi të merrnin kundërmasat. Në vitin 1965, pak muaj para se të kthehej në Shqipëri me mision të mbaruar, Tahmaz Beqarit iu krijua një rrethanë, prej të cilës siguroi një informacion ekstra. U ndërrua shefi i përfaqësisë diplomatike kineze, i cili atë kohë qe në statusin e të Ngarkuarit me Punë.

Ky i bëri menjëherë një vizitë Tahmazit. Ndryshe nga më parë, kur visheshin me uniforma pothuaj dok gri, gjysmë ushtarakë, shefi i ri i ambasadës së Pekinit në Beograd ishte krejtësisht me kostum civil. Gjatë bisedës ky nisi të mbante një kurs krejt tjetër prej kolegëve të mëparshëm. Filloi të tregonte se Kina do të porosiste në Jugosllavi ndërtimin e disa anijeve për nevojat e saj, nuk kish çudi që për këtë të ngrinte edhe një kantjer. Tahmazi informacionin ia nisi urgjent Tiranës. Ishte i pari që njoftonte kursin e ri të Patisë Komuniste të Kinës, ato çaste me Revolucion Kulturor në fikje.

Paketa e shtypit ditor e amerikanëve vjen gabimisht në Legatën Shqiptare

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte ngjitur me Legatën Shqiptare, që të dyja edhe sot ashtu janë, përbri, në rrugën Knjaz Millosh. Personeli i saj nuk kishte të mbaruar numerikisht dhe për t’i bërë një zgjerim mjedisit të tyre edhe ashtu tepër të bollshëm, ata sollën njëqind punëtorë. Për Legatën Shqiptare amerikanët nuk dëshmonin as më të voglin interesim. Gjithsesi realiteti nuk qe kështu. Një ditë gabimisht postjeri në vend që ta linte tek porta e amerikanëve paketën e shtypit ditor, e la tek Legata Shqiptare.

Këta e hapën menjëherë. Brenda saj bashkë me gazetat jugosllave, ku përfshiheshin edhe ato që dilnin në gjuhën shqipe në Kosovë, qe edhe “Zëri i Popullit” me “Bashkimi”-n.

Në Kosovë, pastaj rikthimi në Tiranë
Tahmaz Beqari dhe Andrea Shkodrani bënin çmos që të shkonin në Kosovë dhe prej kontakteve të rastësishme dhe asaj çfarë me sytë e tyre shihnin, të mblidhnin të dhëna të mjaftueshme për dinamikën e ngjarjeve atje. Njëherë në Beograd u hap fjalë se udhëheqësin kosovar Ali Shukria serbët e kishin burgosur dhe çdo përpjekje që u bë në kryeqytetin jugosllav për ta verifikuar nëse qe apo jo e vërtetë kjo gjë, gjithçka përfundoi në një mjegull. Kështu Tahmazi nisi për në Prishtinë Andrean. Këtu ky u qartësua që lajmi nuk ishte i vërtetë.

Njëherë tjetër zbuluesi politik Shkodrani qëndroi nëpër Kosovë, duke vizituar Prishtinën dhe qytetet e tjera, plot dhjetë ditë, por autoritetet jugosllave e thirrën në Ministrinë e Jashtme dhe i tërhoqën vëmendjen, duke e akuzuar për ndërhyrje në punët e brendshme. Andrea, i cili vërtet nuk kishte kryer takime të posaçme informative, u tha se ai kishte bërë vizita të tilla në të gjithë territorin e Jugosllavisë, që nga Trieste në Titograd, në Split apo Novij Sad, dhe ata nuk qenë merakosur. Gjithsesi “tërheqja e vëmendjes” e asaj dite përfundoi me kufizim afatgjatë të pranisë së diplomatëbe shqiptarë në Kosovë. Që prej atij çasti ata do të shkonin atje vetëm pasi t’u jepej leja nga Ministria e Jashtme në Beograd.

Tahmaz Beqari do të kthehej në Shqipëri në 1 gusht 1965 dhe do të niste profesionin e parë, atë të kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme. E emëruan në Lushnjë. Në fund të qershorit 1967 edhe Andrea Shkodrani do të rikthehej në Tiranë, në Ministri. Ky shkoi menjëherë në Lushnjë të takonte dikur shefin e tij, të cilin e donte shumë për modestinë dhe mprehtësinë, qetësinë që pati krijuar mes personelit të Legatës në Beograd, ku përveç tyre punonin edhe shoferi, kafazi si edhe përdoruesi i shifrës sekrete.

Beqari sapo e pa iu hodh në krah me mall dhe i tha se do të mund të qëndronin bashkë me gjatë në Tiranë, sepse sapo e patën thirrur për një punë atje. Qe emëruar zevendëshef i Drejtorisë së Dytë, e cila merrej me sigurinë e udhëheqjes. Me këtë rast i rrëfeu mikut të tij se tre ditë më parë në Lushnjë pati qënë për një vizitë pune vetë Enver Hoxha dhe në takimin me kuadrot tri herë rresht pati folur me admirim për Tahmazin, shërbimin e tij të vazhduar përkushtues ndaj atdheut.

Andrea e ritakoi në Tiranë, por ky i tha se ia patën ndërruar emërimin. Do të qe kryetar i degës së Punës së Brendshme në Kukës.
Por edhe vetë Andrea Shkodrani do të përfshihej në një shqetësim. “Shtëpia me gjethe”, pjesë e Drejtorisë së Zbulimit me objekt vëzhgimin e përfaqësive të huaja, pati kryer me operativët e saj një operacion në ambasadën turke, prej ku qenë marë fshehurisht disa telegrame. Në njërin prej tyre të nisur nga jugosllavët, thuhej “Kemi marrë vesh se Andrea Shkodrani do të caktohet në Turqi. Ju vëmë në dijeni seai ka qenë punonjës i Zbulimit dhe ka shërbyer në Jugosllavi”.

Në të vërtetë Andrea pati dëgjuar nga mjediset e Ministrisë së Jashtme që po diskutohej ky emërim i ri për të dhe pas çfarë mësoi nga telegrami i rrëmbyer në Ambasadën Turke, kërkoi takim me ministrin e Brendshëm, Feçor Shehu. Iu lut që ky të mund të të paktën ta vinte në dijeni udhëheqjen e MPJ-së për praninë e një nëpërgojësi që në zyrat e saj fliste tepër, por Shehu e refuzoi ndërhyrjen: Mos më ngatërro me ata të Ministrisë së Jashtme!

l.q.
Shtuar më 12/08/2018, ora 08:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori