Policia “çmonton” shtëpinë e barit të drejtuar nga shqiptarët në Angli, çfarë u zbulua gjatë kontrollit

Një bastisje e policisë në Bilborough të Britanisë në gusht të vitit të kaluar solli arrestimin e dy të rinjve shqiptarë të cilët së fundmi janë njohur me vendimet e gjykatës ndaj tyre, pasi në banesën ku jetonin janë gjetur armë dhe kanabis me vlerë rreth 48 mijë paundë.

Dy të rinjtë, Klajdi Egra dhe miku i tij Aurel Shima u akuzuan për rritjen e kanabisit, teksa Egra pranoi dhe një akuzë shtesë për posedim të kanabisit me qëllim shitjen e tij. Egra, 26 vjeç, i cili ishte ligjërisht në Britani me leje të përkohshme qëndrimi posedonte disa rroba të shtrenjta stilistësh, thika dhe fatura për pajisjet e nevojshme për rritjen e kanabisit.

Gjurma e gishtit të Egrës u zbulua në një pako me kanabis të mbyllur me vakum, ndërsa në telefonin e tij kishte video të bimëve të kanabisit të dërguara përmes WhatsApp-it dhe mesazhe, në shqip, të cilat i referoheshin “barit”. Gjatë kontrolleve të mëtejshme në një automjet u zbulua sërish kanabis i izoluar me vakum.

Nga ana tjetër, 25-vjeçari Aurel Shima, i cili njihej me Egrën që nga shkolla, u mbrojt para gjykatës dukë thënë se mbërriti në Britani vetëm 20 ditë para se të arrestohej me anë të një gomoneje.

Egra, tha gjyqtari, luajti një rol të rëndësishëm, me një funksion operacional, megjithëse drejtohej nga persona të tjerë, gjë që e bëri gjykatën ta dënonte atë me 3 vite e gjysmë burg. Sakaq, miku i tij, Shima, u dënua me 12 muaj burgim pasi sipas gjykatësit ai luante një rol më të vogël në operacionin e rritjes së kanabisit./Albeu.com/