"Dakikat" e fundit para festës së madhe
Albeu.com
nga Fatos BaxhakuREPORTAZH/ Kosova, në pritje të pavarësisë. Udhëtimi drejt Prishtinës, rrëfimi për tortën gjigante dhe premtimi i kryebashkiakut.Makina jonë e ka kaluar me mund atë distancën fare të shkurtër, që ndan Kukësin nga pika kufitare e Morinit. Punimet për superstradën e re e kanë vështirësuar edhe më udhëtimin. "Po këtu tani qënkan vetëm shqiptarë. Ndërkombëtarët paskan ikur!". Njëri prej nesh, që është njohës i mirë i Kosovës, i KFOR-it, UNMIK-ut, bën habi teksa në kufi na përshëndetnin me buzagaz policët e rinj të Kosovës, të gjithë shqiptarë. Të jetë shenja e parë e pavarësisë së vërtetë? A thua do të jemi vërtet dëshmitarë të njërës prej ngjarjeve më të rëndësishme të shqiptarëve apo do të vazhdojmë të presim radhën e gjatë të deklaratave, të cilat prej ditësh bëjnë fjalë për pragje?

Në Prizren mbërrijmë me ditë. Një kioskë në anë të lumit thuajse ka humbur nën morinë e flamujve kuqezi, të cilët valëviten pareshtur. Në fillim qyteti duket ka një tjetër ditë për të shënuar, Shën Valentinin. Të rinjtë e Prizrenit nuk duken edhe aq të interesuar për muhabete të rënda politike, por janë bashkuar grupe-grupe në lokalet e shumtë. E kuqja sot na duket më shumë si ditë e të dashuruarve se sa si ngjyrë që të ngjall kujtime patriotike. Ca nga ca bie muzgu. Tani edhe flamujt, edhe grupet e të rinjve nisin të marrin ca nga ca të njëjtën ngjyrë që mbështjell zakonisht figurat që lëvizin në muzg.

Njëri prej nesh përfiton nga rasti të takojë një mik të vjetër, Mehmet Kodrën, një mjek prizrenas, të cilin e pat strehuar në kohën e luftës së 1999-ës. "Kur po e shpallni Pavarësinë?", është pyetja e parë pas përshëndetjeve të rastit. Mehmeti thjesht ngre supet. "Paj, as vetë nuk po e dimë. U shty shumë kjo punë - na përgjigjet mjeku - Ishalla këtë fundjavë. Po andej nga Tirana si po i përcillni këto ditë pritjeje? Nga që kemi qenë të paqartë as nuk po e dimë mirë se me ba ndonjë plan për ndonjë festë. Ani, s‘ka gja. Vetëm kjo pritje të marrë fund". Mbase ca nga që tashmë nata është bërë e plotë e ca nga që qarkullimi në rrugë ka rënë disi, Prishtina na duket më e heshtur se ditët e tjera. Ndoshta kemi marrë me vete pak nga qetësia e Prizrenit. Natën vonë ikin dritat. Një ndryshim i krerëve të korporatës së këtushme energjetike e ka çuar vendin në krizë dritash. "Nuk u nda errësira edhe këtu", bën shaka njëri prej nesh. Të nesërmen do të njohim një Prishtinë krejt ndryshe, por në ditën e parë të udhëtimit tonë kosovar garën mes dy festave e ka "fituar" Shën Valentini. Akomodohemi në një nga hotelet e reja të kryeqytetit të Kosovës. Në këtë pjesë të qytetit ka ndodhur një bum i vërtetë ndërtimesh. Në fillim ngrehina të thjeshta dhe më pas hotele të vogla janë shtuar në këtë pjesë të qytetit porsa u rrit interesimi i vizitorëve për ngjarjet e këtushme. Miqtë tanë na thonë se me rastin e festës së Pavarësisë priten që të vijnë në Prishtinë më shumë se 800 mijë vetë, ndërsa vetë qyteti ka tashmë 500 mijë banorë. Vonë mbyllim sytë të lodhur nga udha e gjatë. Poshtë nesh, nga një shtëpi e stolisur me flamurin kuqezi, vjen jehona e këngës "Për ty Atdhe…".

Herët në të gdhirë sodisim nga ballkoni ynë Prishtinën që e ka mbuluar një mjegull e butë. Zëri i muezinit na vjen i fortë nga një xhami që e kemi fare ngjitur. Gjëja e parë që na këshillojnë kolegët e këtushëm është akreditimi në UNMIK. Një numër i madha gazetarësh, shumica të huaj, janë vënë në radhë në pritje për të marrë dokumentin që ua njeh punën edhe zyrtarisht. Dokumentet i marrim shpejt dhe kështu më në fund kemi kohë që të njihemi më mirë me atmosferën e qytetit. Disa prej nesh ndjekin punimet e Kuvendit dhe mundohen të marrin vesh ndonjë gjë më tepër për datën e Pavarësisë. Ca kohë më pas pritet edhe që Kryeministri Thaçi të dalë në konferencë shtypi. Ndërsa vazhdojnë hamendësimet pa fund dalim një copë herë andej nga lagja që vendasit e quajnë "Kodra e Diellit". Është një grumbull shtëpish të ulëta, shumica e të cilave janë ndërtuar këto kohët e fundit. Këtu miqësohemi me një vendas. Është Shemsi Krasniqi. Ekonomist, Shemsiu është larguar për në Finlandë sapo filloi lufta e 1999-ës. "Pavarësia është një gjë fort e mirë, megjithëse një akt formal - thotë Shemsiu - megjithëse mua më duket fitorja më e madhe marrëdhëniet që kanë krijuar kohët e fundit, pas zgjedhjeve liderët e politikës. Kur kam ardhur këtë herë Ksova m‘është dukur edhe më e qetë. Kjo asht shumë e rëndësishme edhe për ditët pas Pavarësisë. Qetësia dhe marrëdhëniet e mira janë ato që na kanë munguar. Pavarësia është një fitore e madhe, por nuk duhet parë si ngjarje me humbës. Vetëm kështu do të jetë një arritje e qëndrueshme". Shemsiu na duket fort optimist ndërsa na shpalos në fillim një tablo të gjatë mbi marrëdhëniet që kanë vendasit finlandezë me të huajt. Përvoja e tij si aktivist i këtyre punëve duket se e ka "zbutur" edhe më ekonomistin që ka qenë i pasionuar pas aktiviteteve kulturore. "Kam pasur shokë serbë. Me ta kam shkuar shumë mirë, jemi rritur bashkë me shumë prej tyre ruaj korrespondencë, por tani jemi larg…".

Në një sokak një burrë i vjetër bën mund të zbresë në një rrëpirë të mbushur me gurë. Është Shaqir Gashi që ka ardhur në Prishtinë vitet e fundit. Ka lindur në një fshat afër Graçanicës, vendit që ende quhet si "tabu", për shkak të përqendrimit të popullsisë serbe. "Unë kam qenë xehtar (minator). Kam punuar për 42 vjet me radhë. Kurr nuk kemi pasur probleme me serbët e thjeshtë. Me qeveritë e tyne po se asnji të drejtë se kem pasë. Pastaj ma von janë mashtru nga Milosheviçi dhe atherë janë armiqësue njerëzit. Politika e prishi ma keq kët punë". "A je bërë gati për me pritë Pavarësinë - e pyesim plakun e urtë - posi more. E kam nji kojshi qi ka shumë flamurë, por nuk kam shkua hala se ka qenë i smuet". Baca Shaqir pat shpëtuar nga tmerret e luftës kur u strehua për disa kohë në Turqi. Djali dhe dy vajzat përfunduan në Norvegji. E ka lënë përfundimisht fshatin e tij në afërsi të Graçanicës. "Tash shehri (qyteti) asht ba edhe ma i madh", bën me kokë poshtë, në drejtim të qendrës së qytetit. Vetëm pak metra më larg, ekonomisti Krasniqi na kishte treguar avantazhet e Pavarësisë. "Nuk asht vetëm një dëshirë e vjetër - na pat thënë - keni me e pa. E kush nuk ka me ardhë me investu këtu. Krahu i punës është i lirë, pastaj fuqia punëtore është afër 70 për qind në moshën 17 vjeç". Plaku nuk është aq ekonomist. "Bahet mirë se kurr nji herë nuk kena pasë të drejta - përsërit - po ishalla nuk del ndonji i marrë e na ban ndonji t‘zezë. Boll kena pa keq. Nuk asht mirë për na shqiptarët". Plaku ka mbërritur në fund të monopatit të gurtë. Shpejton të mbërrijë në xhami në orarin e duhur. Ndër këmbë i ngatërrohen disa fëmijë të vegjël që porsa kanë lënë shkollën. Thuajse të gjithë kanë lindur pas 1999-ës. Kush e di se ç‘do të thotë për ta fjala "Pavarësi".

Flamurët, të cilët në fillim i pamë vetëm ndër pika shitjeje, tani i shohim të shtohen. Prishtinasit, që kanë hipur mbi çatitë e shtëpive bëjnë muhabet me njëri-tjetrin. Ndër lokalet e vogla përzihen bisedat për hallet e përditshme me kronikën e Kuvendit që vjen nga ekrani i vogël në cep të murit. Shumë vetë zhgënjehen sërish. Thaçi ende nuk e ka shpallur datën. Kolegët që merren me politikën na thonë se mbase pritet takimi Bush-Ban Ki Mun dhe ardhja e misionit të BE-së në Kosovë. Flamujt megjithatë, valëviten, mbi kryet e turmës së madhe mbi shëtitoren e Prishtinës.

I largohemi ca bulevardit. Mbërrijmë andej nga "ngrohtorja" (kaldaja qendrore). Këtu na kanë thënë se realizohet një nga kuriozitetet më të mëdha të festës: një tortë gjigante. Ramë Uka është pronari i pastiçerisë "Fellini". Ai na tregon se si do ta realizojë tortën gjigante të festës së madhe. "Ka me qenë me përmasa 5 metra me 5 dhe do të peshojë një ton e gjysëm. Kemi llogaritur që nëse i bëjmë porcionet 25 gramshme, atëherë atë mund ta shijojnë deri në 60 mijë vetë". Uka ka nisur të presë edhe radhën e gazetarëve kuriozë të huaj. "Hidhini nji sy vendit ku po punojmë", bën me kokë nga një grup prej afër 20 vajzash. "Për dy ditë e kemi gati krejt tortën", thotë Rama, duke shpejtuar të ndahet me ne. "Mos po presin tortën që nuk po e shpallin datën?", bëjmë shaka me Ukën. "Mor, po le të mos e presin vetëm ta shpallin", përgjigjet pastiçeri.

Ka ardhur koha e edicionit qendror të lajmeve në stacionet kosovare. Spikerët përsërisin të njëjtat që na kanë thënë më parë kolegët tanë. Këto shënime i mbyllim ndërsa na shoqëron zëri i kryebashkiakut të Gjakovës, i cili u premton qytetarëve të tij dhjetëmijë flamurë kombëtarë falas për "ditën e madhe". "Bashkë me Pavarësinë do të vijë edhe rryma…", e dëgjojmë të thotë.
Shtuar më 16/02/2008, ora 18:48
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori