Daja i tifozit: Mikeli s’vdiq aksidentalisht, u shty nga polici
Daja i tifozit të vdekur aksidentalisht është shprehur se nipi i tij, Mikel Selmanaj është shtyrë nga një polic, para se të përfundonte ndeshja Kukësi-Flamurtari dhe ka rënë në shkallë. Personi që e ka shtyrë duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.

Ne dyshojmë se ngjarja është e qëllimtë, pasi Mikelit nuk i është dhënë as ndihma në kohë. Ai është transportuar jo me ambulancën që ndodhej në stadium, por nga policët, gjë mund t’i ketë shkaktuar ndonjë frakturë apo dhe vdekjen. Ne kërkojmë që organet e drejtësisë të zbardhin sa më shpejt ngjarjen". Kështu deklaroi dje Xhelil Xhelilaj, daja i tifozit 42- vjeçar, që humbi jetën mbrëmjen e së mërkurës në stadiumin e qytetit të Vlorës.

Ndërkohë, pasditen e djeshme, rreth orës 14:00, Namik Selmani u përcoll në banesën e fundit në fshatin Radhimë. Mësohet se në banesën e 42-vjeçarit (baba i dy fëmijëve) kanë shkuar presidenti dhe lojtarët e Flamurtarit, të cilët kanë vendosur brenda arkivolit bluza dhe shallin e ekipit.

Ata janë treguar të gatshëm për të ndihmuar familjen dhe dy fëmijët e Mikelit. Vdekja e tifozit (djalë i vetëm i familjes Selmani dhe vëllai i dy motrave, i vetëpunësuar në një lokal veror) ka tronditur familjarët, sidomos nënën dhe bashkëshorten e tij. "Mikeli shkonte në çdo ndeshje. Madje, ai ftoi edhe të atin që të shikonin ndeshjen e Flamurtarit", thanë të afërmit e tifozit. Ndërkaq, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Xhelil Xhelilaj u bëri apel organeve të drejtësisë që të zbardhin rrethanat e vdekjes së nipit të tij. Sipas këtij të fundit, personi që ka shtyrë Mikel Selmanin nuk mund të shpallet i pafajshëm, pasi bëri një krim që nuk ka ndodhur ndonjëherë në skenat e futbollit shqiptar.

Z. Xhelilaj, gjatë ndeshjes Flamurtari-Kukësi, humbi jetën nipi juaj, Mikel Selmani. Mund të na thoni shkakun e vdekjes së tij?
Ndryshe nga çfarë u tha mbrëmjen e së mërkurës, vdekja e Mikelit nuk ishte aksidentale. Në bazë të të dhënave që kemi nga thënie të shokëve të tij, nipi im është shtyrë dhe ka rënë në shkallë.

Mendoni se ka qenë një ngjarje e qëllimshme?
Personi që e ka shtyrë Mikelin mund ta ketë bërë edhe pa dashje, por ai person duhet të mbajë përgjegjësinë që i takon. Pastaj atij nuk i është dhënë ndihma në kohë, pavarësisht se në stadium ndodhej një ambulancë. Mikeli është transportuar nga policët, gjë që mund t’i ketë sjellë edhe ndonjë frakturë. Duhet punuar me rrjetet sociale, pasi është një video që ndihma e shpejtë nipit tim i është dhënë pas 10 minutash dhe mënyra si është transportuar ai ka qenë në mënyrën më të keqe. Pavarësisht se në stadium është një ambulancë për çfarëdolloj emergjence, ai është transportuar nga policët me uniformë. Gjë e cila mund t’i ketë shkaktuar dhe ndonjë frakturë, po ashtu edhe vdekjen. Këtë gjë e provojmë me dëshmitarë, ka edhe video. Ne i kemi si me emra dhe mbiemra dhe me prova dëshmitarët që e provojnë këtë që ka ndodhur.

Pra, ju mendoni se i afërmi juaj nuk ka rrëshqitur vetë?
Nuk ka rrëshqitur vetë. Në asnjë mënyrë nuk ka rrëshqitur vetë. Nëse do kishte rrëshqitur vetë, nipi do të kishte marrë dhe dëmtime të tjera në trup, ndërsa ai ka vetëm një goditje në kokë.

Ju po thoni se ndihma e shpejtë nuk është dhënë në mënyrën e duhur? Ju kanë thënë pse nuk është përdorur ambulanca?
Në momentin që ai ka rënë, ka kërkuar dhe ndihmë nga një punonjës i policisë duke thënë “më ndihmoni” si dhe kishte përmendur që “kam të bëj me Xhelilajt” dhe ai polici kishte adresën e një kushëririt tonë, e ka marrë atë në telefon dhe ai na ka lajmëruar ne, pra ishte ende gjallë.

Nga ajo që jeni në dijeni, si ka ndodhur ngjarja?
Këtu bëhet fjalë për një incident që është shkaktuar nga shtyrja e një polici, pra nga uniformat blu. Ne si familjarë dhe sportdashës në Vlorë, duam të dimë nëse ka qenë në një konflikt apo ndodhi pa dashje. Pra, duam të dimë të vërtetën.

Cila është kërkesa juaj? Drejtësia duhet të punojë në këtë mes për të zbardhur ngjarjen. Të merren të gjitha provat që gjenden nga kamerat e sigurisë, në internet apo stadium. Të merren edhe dëshmitë e njerëzve që gjenden shumë lehtë. Të bëhet drejtësi. Ne nuk duam hakmarrje.

Çfarë ju ka thënë prokuroria?
Nga ana e prokurorisë na kanë thënë që po vazhdojnë hetimet, por duhet që ata që i kanë parë të vijnë dhe të na i thonë. Ne mund t’i gjejmë njerëzit, por këtë duhet ta bëjë prokuroria. Nuk e kemi hallin tek ai që e shtyu, por nuk dua që të na ngarkohen barrë të tjera. /albeu.com/
Shtuar më 08/04/2016, ora 08:51

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori