Daci nis fushatën për të marrë kontrollin në LDK
Pëlqej
Albeu.com
Në LDK u shfaq “armiku i brendshëm”: Daci nis fushatën për të marrë kontrollin në parti. Kritikohet “Blloku i Dacit” – Haraçija & Shatri mund të bien. Spikeri i Kuvendit, seniori Kolë Berisha, e qorton për axhamillëk juniorin Sejdë Tolaj, duke u pozicionuar kundër bllokut të Nexhat Dacit në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, të mbajtur të mërkurën. Tolaj u kritikua për deklaratat e tij në mbështetje të Dacit, si dhe për një organizim skandaloz të akademisë përkujtimore për nder të Ibrahim Rugovës. Daci u kritikua për fushatën që ai ka organizuar, sipas bllokut kundërshtar, pa u shpallur ende zgjedhjet në këtë subjekt politik. Në Kryesi është debatuar edhe për mundësinë e largimit të Astrit Haraçisë dhe Haki Shatrit nga postet e ministrave

Sipas asaj që u dëgjua në mbledhjen e së mërkurës, pranvera mund të jetë e nxehtë dhe të sjellë shumë bujë në skenën e trazuar të LDK-së. Mbledhja e rregullt e Kryesisë i tejkaloi suazat e rëndomta, duke zgjatur mbi dy orë. Veçanërisht gjatë kësaj mbledhjeje është diskutuar kërkesa e 158 delegatëve të FR të LDK-së për Kuvend të Jashtëzakonshëm dhe çështja e fushatës që po e zhvillon Nexhat Daci për ta forcuar pozicionin e tij për shef të partisë.
Sipas burimeve të “Lajmit”, brenda Kryesisë së LDK-së, Sejdë Tolaj është kritikuar nga anëtarët e kryesisë për qëndrimin e tij pas një marsit.
Burimet bëjnë të ditur se shumica e anëtarëve të kryesisë e kanë mbështetur iniciativën për votëbesimin e Tolajt në Kuvend të jashtëzakonshëm të FR të LDK-së.
Kolë Berisha e ka qortuar atë për vazhdimin e presionit në terren dhe ka përkrahur iniciativën e delegatëve të FR për Kuvend të jashtëzakonshëm.
“Ti s’ke autoritet me iu ba presion njerëzve në terren, as me kallxu kush e ka mirë e kush keq, dhe tashmë t’u kanë mbledh nënshkrimet për me të shkarku, procedurë në të cilën ne do të hyjmë...”, i ka thënë Berisha Sejdë Tolajt.
Ndërsa më pas është diskutuar edhe fushata e Nexhat Dacit në strukturat organizative të LDK-së të cilën shumica e anëtarëve të kryesisë e kanë quajtur të palejueshme.
“Fushata parazgjedhore që po e zhvillon Daci, duke shfrytëzuar strukturat organizative të LDK-së, e sidomos Forumin e Rinisë, ende pa u shpallur zgjedhjet brenda partisë, nuk duhet të tolerohet”, mësohet të ketë thënë Naim Jerliu.
Temë tjetër e nxehtë e diskutuar në këtë takim mësohet të ketë qenë puna e disa ministrave të qeverisë. Sipas burimeve të gazetës, është hapur edhe tema e mundësisë së largimit të ndonjërit prej ministrave të qeverisë aktuale.
“Haki Shatri dhe Astrit Haraçija janë kritikuar në kryesinë e LDK-së“, tha burimi.
Astrit Haraçija, anëtar i Kryesisë së LDK-së, tha për “Lajm” se të mërkurën ka qëndruar dy orë e gjysmë në mbledhjen e Kryesisë, ku është folur për planet e LDK-së për vitin 2006. Aty, sipas Haraçisë, nuk është kritikuar puna e ministrave të LDK-së.
“Kritika ka pasur vetëm në adresë të Sejdë Tolajt, i cili ka organizuar akademi të dobët përkujtimore në dymujorin e vdekjes së ish- presidentit Ibrahim Rugova. Për këtë, Tolajn e ka kritikuar Kryesia e LDK-së dhe unë personalisht”.
Haraçija tha se Daci nuk është kritikuar për ndonjë fushatë, seps, sipas tij, është e drejtë e çdokujt ta bëjë një gjë të tillë, por jo derisa të fillojë zyrtarisht fushata. Po ashtu, sipas Harçaisë, është kërkuar që në emër të fushatës zgjedhore të mos manipulohen forumet e ndryshme të LDK-së.
Sejdë Tolaj, ndër më të kritikuarit në mbledhjen e Kryesisë së LDK-së, nuk ka preferuar që ta shkelë, siç thotë ai, statusin e LDK-së duke dhënë një prononcim për “Lajm”.
“Ne e kemi zëdhënësin tonë Lulëzim Zenelin”, tha Tolaj. Ai e konsideron armikun më të madh atë anëtar të kryesisë, i cili guxon të deklarohet për media rreth zhvillimeve në LDK. E cilëson veten njeriun që i kontribuon më së shumti unitetit brenda LDK-së, por nuk do të komentojë kritikat që kanë shkuar në adresë të tij.
I gatshëm ta pranojë çdo vendim të Kryesisë së LDK-së, qoftë ai edhe shkarkim nga posti, është shprehur ministri i Ekonomisë dhe Financave Haki Shatri. Është habitur shumë me kritikat që i janë bërë në Kryesi...., duke konsideruar se punët në Ministri.., sipas tij, janë duke shkuar mirë, dhe nuk e di se sa ata kanë pasur të drejtë ta kritikojnë.
“Mua nuk më ka njoftuar askush për këto vërejtje. Mendoj se është dashur të m’i tregojnë ato pika në të cilat unë, sipas tyre, kam dështuar dhe të bëj përpjekje që t’i përmirësoj ato”.

Në vend të Lulëzim Zenelit, komunikata shkruan Naim Jerliu

Komunikatën për shtyp, pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, nuk e ka shkruar zëdhënësi i LDK-së Lulzim Zeneli, por nënkryetari i saj Naim Jerliu. Kjo, sipas burimit të gazetës, do të thotë se Jerliu është në anën e klasës së vjetër (Sejdiu, Berisha, Hamiti, Gashi...), kurse Zeneli është afruar me “Bllokun Daci”.
nga ARSIM LANI & DRILON ZOGAJ, Lajm
Shtuar më 07/04/2006, ora 17:58
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori