CV-të e deputetëve shqiptar, më shumë humor se realitet
Albeu.com
Politikanët "mburren" me çmime "prestigjioze" nga shoqata të panjohura, pjesë fjalimesh dhe takime me Papën. CV-ja e kryeministrit, me gjithsej 119 rreshta, është më e gjata nga 140 deputetët e parlamentit shqiptar.Berisha i vlerësuar nga ODIHR-i, Xhuveli, "i riu i vitit", Ruçi emigrant


Kryeministri Sali Berisha kryeson 140 deputetët e Kuvendit nisur nga numri i rreshtave që përmban CV-ja e tij, plot 119. Shprehje dhe të dhëna aspak normale për një prezantim të tillë shoqërojnë që nga fillimi deri në fund tekstin e bërë publik në sitin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë. Që në fillim bien në sy përdorimi i superlativave, ndërsa thuhet se ka mbaruar rezultatet me nota të shkëlqyera apo citime të natyrës "u dallua". Në këtë CV gjen informacione të ndryshme, mes tyre edhe deklaratat e vlerësimet e Berishës dhënë mediave në vitin 1991. Nuk mungojnë as vlerësime të zgjeruara, mes të cilave edhe ajo se "në vitin ‘97, menjëherë pas revoltave të organizuara nga ish-komunistët, të cilët përfituan nga rënia e skemave mashtruese piramidale, Berisha dha dorëheqjen nga zyra e Presidentit dhe PD-ja kaloi në parti opozitare në zgjedhjet parlamentare". Në të njëjtën linjë të mjafton CV-ja e Berishës që të mësosh edhe vlerësimet e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2001. "Megjithëse misioni vëzhgues ndërkombëtar OSBE/ODIHR i quajti këto zgjedhje të manipuluara, koalicioni fitoi 37% të votave", thuhet në CV-në e zotit Berisha. Një foto ekstravagante shoqëron 77 rreshtat e CV-së së liderit të opozitës Edi Rama. Ajo çka bie në sy në CV-në e tij është mosartikulimi qartë i periudhës kur ka kryer punimet e tij me piktura në Francë. Ndërsa mungon zgjedhja e tij e fundit në 12 maj 2007 në mandatin e dytë si kryetar i Partisë Socialiste. Një foto interesante të del para syve ndërsa shikon prezantimin e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topallit. Që në fillim bie në sy mungesa e ditës së lindjes. Në CV-në e saj kuptohet thjesht se ka lindur në nëntor të vitit 1963, por datë nuk ka. As këtu nuk mungojnë surprizat, kur në tekstin e prezantimit futen shprehje të tilla si "në betimin e saj si Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Çoba Topalli, ndër të tjera, theksoi vullnetin e saj të palëkundur për të qenë edhe avokate e opozitës". Si zakonisht, ëmbëlsira lihet për në fund dhe jo më kot aty gjenden rreshta edhe për të pohuar se "me gjithë axhendën ambicioze dhe të ngarkuar të jetës parlamentare e politike, Jozefina Çoba Topalli gjen kohë edhe për t‘iu përkushtuar familjes, bashkëshortit dhe dy fëmijëve të tyre". Informacione që nuk kanë ndonjë rëndësi primare për të qenë pjesë e një CV-je. Një surprizë e papritur të del para syve, nëse përpiqesh të klikosh tek emri i Lufter Xhuvelit. I vendosur në qendër të ironive nga të majtët e të djathtët, ai figuron ndoshta personazhi me më shumë çmime të famshme ndërkombëtare. Pak kush e di, por CV-ja e Xhuvelit të qartëson se ai është shpallur "Njeriu ndërkombëtar i vitit" për vitin 1992-1993 në Cambridge të Anglisë. Ashtu sikurse çmime të tjera si "Njeriu i vitit" nga Instituti Ndërkombëtar Amerikan i Biografive USA, fitues i çmimit "Një në një milion" në Angli, "Top 100 scientists" po në Angli. Biografia e Xhuvelit rezulton të jetë e botuar në më shumë se 15 fjalorë enciklopedikë dhe libra biografikë ndërkombëtarë. Nëse vijon më tej kërkimin në atë çka të ofron faqja zyrtare e internetit të Kuvendit të Shqipërisë, mëson edhe të tjera të reja. Ilir Rusmali, sipas këtyre të dhënave të CV-së së tij, vijon të jetë në detyrën e zëvendëskryeministrit. Kuvendi duket se nuk ka arritur të gjejë foto për një numër të konsiderueshëm deputetësh, mes të cilëve Preç Zogaj, Paulin Sterkaj, Spiro Peçi e Vangjel Dule. Shumë mund të mos e dinë, por në CV-në e tij, Gramoz Ruçi, ish-sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste, ka shënuar edhe faktin se gjatë viteve 1992-1996 ka qenë emigrant jashtë vendit. Të dhëna interesante shfaqen në hapësirën kushtuar ministrit aktual të Arsimit, Genc Pollo. Ai ka lindur në 1963-shin, por nuk dihet se pse është mbajtur e fshehtë data dhe muaji përkatës. Në CV-në e tij flitet edhe për një lëvizje të fuqishme reformatore në Partinë Demokratike, në krye të së cilës ishte Genc Pollo. Nëse klikon për të parë diçka më shumë në CV-në e Lajla Pernaskës, shikon një të dhënë të lezetshme, adresa e saj e e-mail-it është [email protected] Provojmë të hapin këtë faqe interneti, domaini i së cilës është përdorur për të hapur adresë e-mail-i, por ajo nuk ekziston fare. Informacionet personale të ish-kryeministrit Fatos Nano janë përmbledhur në 30 rreshta. Por ajo çka bie në sy ka të bëjë me faktin se aty përshkruhet fakti se Nano ishte i burgosur nga prokuroria me akuza të montuara politikisht. CV-ja e Besnik Mustafajt të jep të kuptosh se ai vazhdon ende në detyrën e ministrit të Punëve të Jashtme, ndërsa nuk mungon e dhëna interesante, ai ka qenë pjesë e gazetës "Zëri i Popullit" si gazetar para viteve ‘90. Të çudit një element në informacionet e kreut të Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo. Ai rezulton të ketë qenë gazetar në vitet 1971-1975, por nuk ka shënuar se kujt medie i ka shërbyer. Në të dhënat e tij në informacionet personale, zëvendësministri i Jashtëm, Anton Gurakuqi, ka shënuar edhe fitoret dhe pjesëmarrjet në olimpiadat e shahut, ku është zgjedhur disa herë kampion. Sakaq, ai nuk ka harruar të vendosë edhe një element, atë të takimit me Papa Gjon Palin e Dytë në vitin 2002. Nëse vazhdon të sodisësh në faqen e internetit, të bën përshtypje fakti se pothuajse të gjithë drejtuesit e shtetit mënjanojnë aktivitetet e tyre para vitit 1990. CV-të përgjithësisht fillojnë këtu e mbrapa, duke e lënë në harresë çdo gjë që është kryer dhe punët që kanë bërë para këtij viti, kur në vend ishte tjetër regjim. Një tjetër detaj është ai i manisë për të rreshtuar shumë mastera dhe shkollime kryesisht jashtë vendit. Emrat e gjatë ku jepen jo vetëm titulli i asaj çka kanë kryer, por qyteti, shteti dhe viti nuk mungojnë në shumicën e CV-së. Por asnjë prej tyre nuk thotë se sa kanë zgjatur këto shkollime, që në të shumtën e rasteve për hir të së vërtetës janë kurse javore, vizita zyrtare dhe seminare pune.
Shtuar më 21/05/2007, ora 11:11
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori