Cutillo-Koka: Forcim të marrëdhënieve dypalëshe në sektorin e mjedisit
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e ri të Italisë në Shqipëri, Alberto Cutillo. Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë, ministri Koka e njohu ambasadorin Cutillo me reformat e qeverisë shqiptare në fushën e mjedisit.

Ai bëri një përmbledhje të situatës mjedisore, arritjeve në këto dy vite, prioritetet, objektivat dhe projektet konkrete në këtë sektor. Më tej ministri i Mjedisit e njohu ambasadorin Cutillo edhe me hapat e ndërmarrë deri më sot në përafrimin e legjislacionit me vendet anëtare të BE-së.

Nga ana e tij, ambasadori Cutillo siguroi ministrin Koka për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në sektorin e mjedisit. Palët vlerësuan bashkëpunimin konkret midis dy vendeve tona në fushën e menaxhimit të mbetjeve, në mbrojtjen e ujërave detare nga ndotja dhe fushën e biodiversitetit për shumimin dhe mbrojtjen e specieve.

Në fund të këtij takimi, ministri Koka dhe ambasadori Cutillo ndanë vullnetin e përbashkët për një angazhim më të gjerë në promovimin e mjedisit shqiptar për thithjen e investitorëve italianë si dhe atraksion për turistët e vendit fqinj. /albeu.com/
Shtuar më 29/12/2015, ora 13:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori