"Çuni a jeton?", babai rrëfen në lot momentet pas aksidentit tragjik në Kakavijë
Ngjarja e rëndë e ndodhur në aksin rrugor Jorgucat-Kakavijë, në vendin e quajtur Bularat, ku një ambulancë duke ecur me shpejtësi aksidentoi një fëmijën 10-vjeçar, i cili për pasojë ndërroi jetë, shokoi mbarë opinionin publik më 15 gusht. Pas shumë orësh pritje për të kaluar kufirin familja Ndoji u përball dhe me humbjen e fëmijës. Me lot e dhimbje të thellë babai i 10-vjeçarit Nik Ndoji rrëfen momentin kur pa gjithë skenën me sy, kur fëmija u aksidentua nga ambulanca dhe u nis për në spital me një ambulancë tjetër.

Ai tregon në emisionin “Me zemër të hapur” në News24 se djali, i plagosur shoqërohej vetëm nga e ëma, pasi infermierja qëndroi me shoferin dhe ambulanca nuk kishte as oksigjen. I vështirë ishte po ashtu momenti kur mjeku iu njoftoi vdekjen dhe Nik duhet të ishte i fortë dhe për djalin tjetër dhe gruan që përfundoi në oksigjen.

A ju ka telefonuar kush nga ana e shoferit të ambulancës apo dikush tjetër?
Asnjëri në botë nuk më ka marrë mua për këtë rast në telefon.

Çfarë ndodhi me vogëlushin pas aksidentit?
Shkuam në spital. Na treguan që çuni nuk ishte më në jetë. Në momentin kur shkuam në spital, më çoi policia. Një infermiere dhe një ambulancë që e ka çuar çunin, nuk kishte as oksigjen, infermierja ndenji me shoferin. Nusja ndenji me fëmijën.

Çfarë thoshte nusja juaj?
Ajo thoshte ishte në jetë sikur të…Por dhe ajo nuk ka qenë në gjendje, ka qenë e shokuar.

Skeda e vdekjes e thotë besoj kur ka ndërruar jetë?
Nuk e kam parë por doktori më ka thënë që fëmija ka shkuar pa jetë në spital.

Ju thoni që ka pasur shenja jete?
Nusja që më ka thënë që e ka pasur në dorë, ka qenë vetëm me djalin. Nusja më thotë se ai ishte mirë.

Ju shkuat në spital me djalin tjetër?
Në momentin që hyra tek spitali, pashë infermieren që ishte në ambulancën që kishte transportuar djalin, i them çuni jeton?
Më thotë po. I them përsëri, më thotë po. Kisha dhe djalin tjetër e mundohesha të forcohesha për çunin që të mos kishte probleme. Por ai i kishte parë gjithçka.

Sa vjeç është djali tjetër?
Djali bën 12 vjeç për 4-5 muaj. Gruaja ka qenë me oksigjen. Pas 10 minutash që kam hyrë në spital, përafërsisht se mua minutat më dukeshin orë atje, ka dalë doktori dhe më ka thënë që çuni ka mbaruar dhe për mua ishte një gjë tepër e vështirë, si ta përballoja një gjë kaq të vështira. (qan…) Në njërën anë çuni i vdekur, në anën tjetër si ta gjeja mënyrën si t’ia thosha çunit tjetër apo nga ana tjetërnusja ishte e shokuar dhe ajo. Ishte një moment tepër i vështirë, i papërballueshëm. Jashtëzakonisht i vështirë. (qan pa pushim me ngashërima)
Shtuar më 11/09/2020, ora 13:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori