Çudirat nuk kanë fund, finlandezët “braktisin” Spanjën për Sarandën
Një komunitet finlandez prej disa dhjetëra personash është vendosur vitet e fundit në Sarandë, përmes blerjes së apartamenteve apo vilave në qytetin bregdetar.

Liliana Verdha, Konsulle e Përgjithshme Nderi e Shqipërisë në Finlandë, thotë se një pjesë e tyre kanë ikur nga Spanja për të ardhur dhe për të jetuar në Shqipëri.

Spanja është e tejmbushur me finlandezë, ka fshatra të tërë me pensionistë, por tashmë një pjesë e tyre po zhvendosen në Shqipëri, për shkak të mjedisit dhe detit, por edhe se kushtet ekonomike janë më të favorshme për finlandezët. Nuk janë vetëm pensionistë, ka dhe shkrimtarë në profesion të lirë, që janë vendosur në Sarandë dhe kanë bërë edhe libra, duke e përmendur Shqipërinë.

Liliana thotë se disa prej tyre i ka takuar dhe i ka falënderuar personalisht për promovimin që i bëjnë vendit tonë, pasi “është ndryshe kur flasim ne për Shqipërinë, ndryshe kur flet vetë një finlandez, pasi është një promovim origjinal”.

Znj. Verdha është e bindur se nëse ka një fushë ku Shqipëria dhe Finlanda kanë potenciale, ai është turizmi. Këtë vit është vendosur lidhje direkte mes dy vendeve, përmes agjencisë turistike Apollo. Ka pasur dy udhëtime në maj-qershor dhe dy në gusht-shtator. Këto ishin më shumë si udhëtime prove, por ecuria pritet të jetë pozitive në të ardhmen.

Lili, e cila prej gati 30 vitesh jeton në Finlandë dhe që prej 15 vitesh është edhe Konsulle Nderi, veç promovimit të vazhdueshëm të Shqipërisë, për disa vite ka financuar vetë Pavijonin shqiptar në Panairet turistike të Finlandës.

Ajo thekson se marrëdhëniet e biznesit mes të dy vendeve, Shqipërisë dhe Finlandës, nuk kanë qenë në nivele shumë të larta. Interes sipërmarrjet finlandeze kanë pasur për të investuar në hidrocentrale, por nuk ka pasur konkretizime. Fortum, një konglomerat i energjisë elektrike, ka qenë në bisedime për të ndërtuar një hidrocentral, por nuk ka pasur finalizim me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë. Dilema tjetër është dhe ndikimi që hidrocentralet mund të kenë në dëmtimin e mjedisit.

Me potencial znj. Verdha shikon eksportin drejt Finlandës të produkteve bujqësore, sidomos të verërave. – “Finlanda merr sot prodhime bujqësore nga Afrika e Jugut, nga një distancë shumë më e madhe. Pse të mos i marrë dhe nga Shqipëria?!”. Po ashtu, midis Shqipërisë dhe Finlandës nuk shkëmbehen studentë, sepse nuk ka një marrëveshje për shkëmbime në fushën e arsimit dhe kulturës. Kjo, sipas saj, varet dhe nga marrëveshjet shtetërore që lidhen.

Deri tani, asnjëra nga palët nuk e ka nënshkruar një marrëveshje të tillë. – “Pse të mos vijnë studentë shqiptarë në Finlandë?!”, – thotë ajo, duke shprehur keqardhjen që nuk ka një marrëveshje mes dy vendeve, e cila do t’u mundësonte studentëve shqiptarë të studiojnë në mënyrë të rregullt, jo siç bëjnë sot kur përpiqen me të gjitha mënyrat, por shpesh nuk është e mundur dhe detyrohen të kthehen mbrapsht.

Finlanda, nga ana e saj, është e interesuar të eksportojë sa më shumë produkte të veta, teknologji dhe dije. Në fushën e dijeve, znj. Verdha përmend arsimin, ku Finlanda është e dalluar për metodologjinë e mësimdhënies, duke arritur rezultate të larta dhe në Programin për Vlerësimin e Studentëve Ndërkombëtarë (PISA). Ajo tërheq vëmendjen se përtej përpjekjeve të saj personale, duhet të ketë më shumë organizim nga strukturat shtetërore. Monitor

Shtuar më 15/12/2018, ora 08:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori