COVID-19/ U pushua nga puna, gjakovari: Nuk kam as të ha as të pi, jam vetë i pesti
Bekim Ferizi në Gjakovë po përjeton momente të vështira. I pushuar nga puna në ndërtim, me qiraxhiun që i kërkon pagesën e banesës dhe pa asnjë ushqim në sofër, kryefamiljari kërkon ndihmën e shqiptarëve.

Thotë se për iftar nuk ka asnjë ushqim dhe se fëmijët e tij i luten vazhdimisht për bukën e gojës. “Unë jam Bekim Ferizi nga Gjakova. Në këtë shtëpi jam 5 vjet me qira.

Jam pushuar nga puna për shkak të situatës COVID-19, por unë duhet të paguaj qiranë. Për kokë të fëmijëve, nuk kam as të ha as të pi, jam vetë i pesti. Kam dy vajza dhe një djalë.

I kam kushtet e rënda. Fëmijët flenë edhe pa bukë, ka qarë për t’i blerë bukë, nuk kam pasur para t’i blej. Edhe kur isha në punë, nuk i kisha mundësitë që t’ia dilja me vetëm një rrogë. Vajza më tha para tre ditësh, o babi nuk ka as makarona më, çfarë të bëjë babi i thashë, nga t’ia mbaja.

Nëse dëshiron ndokush të më ndihmojë, Allahu i shpërbleftë. Kam nevojë shumë për një shtëpi. I lutem motrave dhe vëllezërve më ndihmoni. Nuk po ia dal dot më, fëmijët në shkollë, qiraja duhet të paguhet, jam i papunë. Dua të ushqej familjen time. Kur vjen Iftari nuk kam çfarë të hamë, madje as lëng të djathit nuk kam. Unë vetë jam i sëmurë kam tre gurë në veshka”,-thotë Bekimi.

Bashkëshortja e Bekimit tregon sesi vajzat nuk ndihen si moshataret e tyre. Ushqimi u mungon në tryezë ndërsa jeta e tyre është shumë e vështirë.

Vajza e Bekimit thotë se në shkollë nxënëset e ofendojnë. I thonë se nuk ka para të blejë rroba të reja.

“Jemi mërzitur, as fletore nuk blej dot, në shkollë nuk blejmë dot si shoqet, më ofendojnë ato gjatë gjithë kohës, më thotë se nuk ke tesha, nuk ke asnji send, krejt më ofendojnë. Të falura i kemi krejt teshat, nuk kemi blerë asnjë rrobë. Më vjen keq për babin, është edhe i sëmurë”, -thotë vajza e Bekimit./ BW
Shtuar më 01/05/2020, ora 21:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori