Euro 2024, Shqipëria i merr 1 pikë Çekisë në Pragë, Nedim Bajrami realizon një super gol (VIDEO)

Shqipëria ka dalë me një pikë nga Praga, ku luajti ndeshjen e katërt të vlefshme për eleminatoret e kampionatit europian, “Gjermani 2024”, përballë Republikës Çeke.

Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gol mes dy skuadrave, ku asnjëra palë nuk pati raste për tu shënuar, përveç disa momenteve sporadike.

Ndërkohë me nisjen e pjesës së dytë skuadra çeke rriti volumin e lojës duke iu afruar disa herë, golit.

Në minutën e 48-të Çekisë iu anullua një gol për pozicion jashtë loje.

Por në minutën e 56-të Cerny i cili përfitoi nga një vendosje gabim e mbrojtjes tonë kaloi çekët në avantazh.

Një avantazh i cili zgjati vetëm 10 minuta, pasi në të 66-tën Nedim Barjami nxori nga repertori i tij një supergol. Një gjuajtje me të djathtën nga jashtë zone, e cila përfundoi në trekëndëshin e djathtë të portës çeke.

Ndërsa ndeshja tjetër në grupin E, ajo mes Polonisë dhe Ishujve Faroe përfundoi me rezultatin 2-0 për vendasit. Të dy golat u shënuan nga Levandovski.

Moldavia këtë ndeshje ishte pushim.

Pas këtyre sfidave grupin E e kryeson Çekia me 8 pikë, Shqipëria 7, Polonia 6, Moldabia 5, dhe e mbyll grupin Ishujt Faroe me vetëm 1 pikë.

Ndeshjet e ardhshme do të luhen në 10 shtator, ku Shqipëria do të presë në “Air Albania” skuadrën polake.


Shtuar 7.09.2023 22:41