Tragjedi në “Tiranë-Durrës”, makina përplas për vdekje punonjësin e pastrimit

Një mjet ka përplasur ditën e djeshme një punonjës pastrimit të rrugëve në autostradën Tiranë – Durrës. 51-vjeçari është dërguar në spital, por sot ka ndërruar jetë për shkak të dëmtimeve që kishte marrë në trup.

Policia ka vënë në pranga drejtuesin e mjetit që përplasi punëtorin. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes kanë nisur.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. Y., 29 vjeç, banues në Këlcyrë, Përmet, pasi automjeti që drejtohej nga 29-vjeçari, ditën e djeshme, përplasi në autostradën “Tiranë-Durrës”, shtetasin Sh. A., 51 vjeç, banues në Tiranë (punonjës për pastrimin e rrugëve). Për shkak të dëmtimeve të marra, 51-vjeçari ka humbur jetën ditën e sotme, në spital.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.