COVID-19 i mori 2 vëllezërit brenda 24 orëve, Osmani: Nuk na treguan si ishte situata, kishim gati avionin
Afrim Osmani ka marrë një goditje shumë të rëndë, pasi ka humbur dy vëllezërit e tij për shkak të Covid-19. Dhimbja ishte e madhe në familjen Osmani, pasi Astriti, 62 vjeç, u nda nga jeta më 11 nëntor, ndërsa Arjan (60 vjeç) me 12 nëntor. Lajmin e kobshëm e ka dhënë në facebookin e tij Afrimi.

Të dy vëllezërit janë trajtuar fillimisht në shtëpi dhe më pas në spital. Të dy u shtruan te spitali Covid-1. Arjani kishte një sëmundje bashkëshoqëruese, leucemi kronike, ndërsa Astriti me diabet, por në nivele të ulëta.

Ditën e sotme ishte i ftuar në studion e emisionit “Shqipëria Live” Afrimi, i cili dëshironte të jepte një mesazh për të gjithë ata që e ndjekin dhe mendon se mund të ishte bërë më shumë dhe në rastin e vëllezërve, nëse do kishte më shumë informacion.

“Ishte shumë e vështirë. Ishin dhe janë ditë të vështira. Është një ikje si vjedhje e jetës. Të dy pothuajse në një ditë. E kemi përjetuar keq, megjithatë arsyeja pse jam këtu nuk është për të treguar dhimbjen time”, tha ai.

Afrimi zbuloi se i pari që u prek nga Covid ishte Astrit, i cili ka qëndruar 8-9 ditë në shtëpi dhe se ka marrë të gjithë mjekimin e duhur.

“Ai ishte shumë i kujdesshëm, më shumë se të gjithë ne gjatë kësaj periudhe pandemie. Kur nisën simptomat nisi mjekimin menjëherë dhe 2-3 ditë më vonë u sëmur Arjani. Ai ishte edhe me leucemi kronike, e kishte si fillim temperaturë, e kjo mendonin për shkak të sëmundjes tjetër.

Kishin simptoma të ndryshme, Arjani u shtrua i pari në spital. Ai nuk kishte opsion për të qëndruar në shtëpi. Astriti kishte një kollë të vështirë, por u mundua që me kurimin maksimal të qëndronte në shtëpi. Ai ishte tip që luftonte dhe nuk e mendonte se do të mposhtej. Gjatë gjithë trajtimit të mjekimit ishte shumë i kujdesshëm”, shtoi Afrimi.

Sipas tij, Covid-19 ka dy stade, pjesa që kemi simptoma, dhimbje kocke e kollë, jemi te një grip i rëndë. Ai shton se e vërteta qëndron ndryshe, “ne mbetemi në emergjencë në trajtimin e problemit”.

“Pjesa e dytë është stadi që fillon me oksigjenin dhe stadi i rëndë që duhet të jesh shumë i kujdesshëm është kur momenti që nis e bie oksigjeni. Shumë njerëz nuk i dinë fazat e Covid. Mjekët në spital janë të jashtëzakonshëm, duhen respektuar e duhet të jemi mirënjohës. Kjo sëmundje në fazën dy ka dy gjëra, goditet mushkëria. Edhe ata që e kalojnë thjeshtë kanë dëmtime në mushkëri. Por çfarë bëhet në momentin që dëmtohet mushkëria? Futet në oksigjen dhe terapi intensive”, vijoi ai.

Sipas tij, në spitalet në Shqipëri ka bllokim të informacionit, mjekët nuk tregojnë se si është situata reale.

“Realisht çfarë bëhet në momentin që dëmtohet mushkëria? Mushkëria nuk ia darkon gjakut oksigjenin. Edhe oksigjeni përmes tubit është për të dhënë 2-3 ditë jetë. Në këto ditë çfarë bëhet për riparimin e mushkërive? Çfarë mund të bëhet në një spital infektiv, a janë mjekët që merren me mushkëritë? Fatkeqësisht ka një tragjedi bllokim informacioni. Ta administrojmë situatën, nëse del i gjithë informacioni si do t’i shpjegojmë familjarët. Duhet të merret një takim urgjent ku duhet të thuash jemi në këtë fazë, çfarë do bëjmë. Unë nuk dua që mjeku të më thotë se do e shërojmë me patjetër, por merr takim me familjarët dhe thuaju jemi në këtë situatë, kemi këto pista”, shtoi Afrimi.

Ky i fundit zbuloi se për Astritin kishin marrë edhe avion për ta nisur në Turqi, por që fatkeqësisht ndërroi jetë para se të nisej për në një tjetër spital.

“Ne për Astritin morëm avionin që ta nisnim për jashtë, por nuk e çuam dot. Mjekët do doja të ishin realist me ne, të na thoshin se deri në këtë pikë mund të bëjmë ne. Nëse mjekët do na thoshin më herët situatën për Astritin, ndoshta gjërat do të ishin shumë ndryshe. Ndoshta ai do kishte ndërruar jetë edhe në Turqi, nuk i dihet”, tha Osmani.
Shtuar më 17/11/2020, ora 13:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori