COVID-19 dhe tërmeti shtojnë çrregullimet psikologjike në Lezhë: 180 thirrje për ndihmë
Periudha e karantinës është shoqëruar me kërkesa të shumta për ndihmë psikologjike për në Qarkun e Lezhës, duke e renditur këtë zonë me numrin më të lartë të personave në rang vendi, që kanë kërkuar këshillim online tek psikologët.

Të dhënat janë bërë publike nga Urdhëri i Psikologut, teksa në harkun kohor të 50 ditëve ka pasur 180 telefonatë e kjo lidhet dhe me faktin se kjo zonë është prekur dhe nga tërmeti i vitit 2019.

Psikologu Besmir Frroku thotë se kërkesat më të shumta për këshillim kanë ardhur nga grupmoshat 30-35 vjeç.

“Qarku i Lezhës ka patur fluksin më të lartë të telefonatave, rreth 24% në shkallë kombëtare, duke lënë pas qarkun e Tiranës dhe atë të Durrësit,” tha Frroku.

“Kjo dhe me faktin se qarku i Lezhës, Kurbini kryesisht është prekur nga tërmeti i 26-nëntorit të vitit 2019-të dhe kjo e ka spostuar fluksin e telefonatave dhe gjatë kohës së karantinës,” theksoi ai, duke shtuar se “edhe adoleshentët periudhën e karantinës e kanë përjetuar shumë keq.”

Gjatë gjithë periudhës së karantinës, 13 psikologë në qarkun e Lezhës kanë ofruar këshillim online për popullatën.

Sipas Frrokut problemet më të shumta janë konstatuar me ankthin, e më pas renditen stresi, konfliktet bashkëshortore dhe çrregullime të sjelljes së fëmijës në kushtet e shtëpisë. Të dhënat e këtij studimi u janë paraqitur institucioneve shtetëtore, pasi situata shihet si mjaft shqetësuese.

“Ky studim ju është paraqitur përmes një shkrese zyrtare të gjitha institucioneve shtetërore nga Urdhëri i Psikologut me qëllim që në vazhdimësi të bëhet një depistim më i hollësishëm i popullatës, pasi realisht të dhënat janë mjaft shqetësuese,” përfundoi Besmir Frroku/ Reporter.al
Shtuar më 23/05/2020, ora 23:50

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori