Countryman: Zgjidheni vet ngërçin politik
Zëvendësndihmës Sekretari i Shtetit për Europën, Thomas Countryman i bën apel klasës politike të gjejë gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e krizës.

“Ngërçi aktual politik nuk i shërben popullit shqiptar” ka thënë zyrtari i DASH në konferencën që mbajti sot paradite në ambientet e ambasadës amerikane në Tiranë.

“Nuk kam ardhur këtu për të sjellë një plan të SHBA-së si të zgjidhet ngërci. Nuk kam ardhur për t’i rrahur shpatullat ndokujt apo për të rrahur ndonjë tjetër. Palët duhet të kapërcejnë pengesat aktuale në mënyrë që të kemi zgjidhje të pakundërshtuar në të ardhmen.”

“Kalimi i ngërçit kerkon fleksibilitet dhe kompromis mes paleve”- nënvizoi zyrtari amerikan i cili ndodhet në Tiranë që prej ditës së djeshme.

I pyetur për takimet e tij me Berishën dhe Ramën, zyrtari amerikan tha se kishte dëgjuar palët rreth pozicionit që kishin, por ka shtuar se “pozicionet parimore duhet të kalohen dhe të arrihet kompromisi: Nuk është një lojë ku patjetër dikush duhet të humbë dhe dikush tjetër duhet të fitojë”.

Më tej, ai e konsideroi një shans të humbur mos votimin e ligjit për Gjykatën Administrative, duke theksuar se ajo “që populli kërkon është funksionimi i policisë, gjykatave dhe agjencive ligjzbatuese”. “Të gjitha përpjekjet për të ndryshuar këtë ligj, duhet të bëhen në mënyrë të kujdesshme në përputhje me kriteret e NATO-s”, tha ai. (albeu.com)
Shtuar më 21/10/2010, ora 13:12

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori