Sall kërkes Putin-it: Merr parasysh vuajtjet tona, Afrikanët janë viktima të konfliktit në Ukrainë

Macky Sall, kreu i Unionit Afrikan, i ka kërkuar presidentit rus Vladimir Putin të marrë parasysh vuajtjet në vendet afrikane nga mungesa e ushqimit.

E gjitha e shkaktuar nga konflikti në Ukrainë.

Putin-i e priti atë në rezidencën e tij në Detin e Zi në Sochi, në ditën e 100-të të ofensivës së Moskës në Ukrainë.

Çka ka shkaktuar mungesa globale të ushqimit dhe furnizimeve me drithëra të bllokuara në portet e Ukrainës.

Prandaj Sall i ka kërkuar Putin-it “të ndërgjegjësohet se vendet tona, edhe nëse janë larg skenës së veprimit, janë viktima në nivel ekonomik” të konfliktit.

Për atë, është e rëndësishme të punohet së bashku, në mënyrë që “çdo gjë, që ka të bëjë me ushqimin, drithin, plehrat… të jetë në të vërtetë jashtë” sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Moskës.

Po ashtu Sall ka thënë se, për shkak të sanksioneve perëndimore, “nuk kemi më akses në grurë nga Rusia dhe veçanërisht në pleh” që është thelbësor për bujqësinë “tanimë të mangët” të Afrikës.

“Kjo me të vërtetë krijon kërcënime serioze për sigurinë ushqimore të kontinentit”, ka theksuar Sall.

Kurse Putin-i ka thënë se Rusia ka qenë “gjithmonë në anën e Afrikës” dhe se është e prirë të rrisë bashkëpunimin.

“Në fazën e re të zhvillimit, ne u kushtojmë rëndësi të madhe marrëdhënieve tona me vendet afrikane dhe duhet të them se kjo ka pasur një rezultat pozitiv”, ka thënë ai.

Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe një sërë sanksionesh ndërkombëtare ndaj Rusisë kanë ndërprerë furnizimet me pleh, grurë dhe mallra të tjera nga të dy vendet, duke rritur çmimet e ushqimit dhe karburantit, veçanërisht në vendet në zhvillim.

Çmimet e drithërave në Afrikë, kontinenti më i varfër në botë, janë rritur për shkak të rënies së eksporteve nga Ukraina, duke mprehur ndikimin e konfliktit dhe ndryshimet klimatike.

Gjithashtu, duke ndezur frikën e trazirave sociale.