Clinton i premton Berishës të vijë në Tiranë
Berisha - Klinton
Kryeministri Sali Berisha u takua të mërkurën me Sekretaren e Shtetit Hillary Clinton. Sipas zyrës për shtyp të kryeministrisë, Sekretarja Clinton i rikonfirmoi Kryeministrit se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të interesuara ta shikojnë Shqipërinë sa më parë vend anëtar të Bashkimit Europian dhe se do të vijojnë të mbështesin fuqishëm në këtë rrugëtim drejt BE-së, por edhe në të gjitha fushat e tjera të bashkëpunimit dypalësh.

Kryeministri Berisha e falenderoi Sekretaren Clinton për pritjen e përzemërt. Ai i shprehu asaj mirënjohjen më të thelle për të personalisht, për Presidentin Obama, qeverinë e SHBA-së dhe taksapaguesit amerikanë për mbështetjen e çmuar dhe ndihmën bujare që ata i kanë dhënë dhe i japin Shqipërisë, gjatë gjithë kësaj periudhe, në përpjekjet e saj për kapërcimin e vështirësive, ndërtimin e lirisë dhe vlerave të saj, konsolidimin e demokracisë funksionale të bazuar mbi ekonominë e tregut të lirë.

Gjatë bisedës, e cila u zhvillua në një atmosfere shumë të ngrohte e miqësore, u rikonfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera, të ngushta e miqësore midis të dy vendeve, si dhe u diskutua gjerësisht mbi zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit frytdhënës në të gjitha fushat.

Më tej, Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për t’i rishprehur Sekretares Clinton dëshirën e tij, të qeverisë shqiptare dhe të të gjithë shqiptarëve për të pritur znj. Clinton së shpejti në Shqipëri, si mike e madhe dhe e shquar e Shqipërisë dhe e kombit shqiptar. Sekretarja Clinton ju përgjigj kësaj ftese të Kryeministrit me premtimin se do të vijë në Tiranë, për të festuar se bashku 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Pak para takimit 40 minutësh, Sekretarja e Shtetit Clinton e ftoi Kryeministrin dhe së bashku dhanë një prononcim për shtyp.

Konferenca për shtyp
Sekretarja Clinton: Është një nder të mirëpres Kryeministrin e Shqipërisë, këtu, në Departamentin e Shtetit. Kryeministri dhe vendi i tij kanë qenë partnerë të fortë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në NATO, si pjesë e misionit tonë në Afganistan dhe ne kemi një marrëdhënie të gjerë e të thelle që e vlerësojmë lart. Mezi pres të diskutoj me Kryeministrin Berisha për shumë çështje, për të cilat ne po punojmë si në aspektin dypalësh, rajonal dhe atë global. Zoti Kryeministër mirëserdhët!

Kryeministri Berisha: Jam shumë i lumtur dhe mirënjohës që ndodhem këtu, të takoj Sekretaren Clinton. Ajo është një mike e madhe e vendit dhe e kombit tim. Po ju rrëfej se një prej qëllimeve të këtij takimi është që t’i kërkoj të vijë në Shqipëri në 100 vjetorin e pavarësisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol themelor në të gjitha momentet më të vështira të historisë tonë. Kështu që çdo shqiptar do të jetë krenar dhe i lumtur për këtë vizitë.

Gjithashtu, ne do të diskutojmë për shumë çështje të interesit tonë dypalësh. Shqipëria ka pasur privilegjin e jashtëzakonshëm të mbështetet nga ky vend i madh, nga administrata e Presidentit Obama, nga Sekretarja Clinton, në të gjitha përpjekjet e saj për të ndërtuar një demokraci të bazuar në lirinë e tregut. Faleminderit shumë. /albeu.com/
Shtuar më 26/04/2012, ora 10:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori