Çfarë ka Edi Rama me Halim Kosovën?
nga Dionis Xhafa - “Ju duhet të vendosni vetë çfarë duhet të gatuani”, ka thënë Halim Kosova sipas Edi Ramës. Ndërsa, po sipas Ramës, Halim Kosova ka thënë edhe se “asnjëherë nuk ka fund” apo “Në rast se do të kem mundësi të bëj 10 gjëra, unë do të bëj 5”.

Të gjitha këto fraza të Ramës për Halim Kosovën duket të jenë fraza që përpiqen ta “nardizojnë” Kosovën. Është paradoksale dhe paksa e habitshme të mendosh se Rama kryeministër merret me personin që në zgjedhje do të ketë përballë Erion Veliajn dhe jo vetë Ramën.

Pyetja që lind vetiu është se ç’e shtyn Edi Ramën të merret me Halim Kosovën, aq më tepër ta denigrojë figurën e tij? Pse po del Rama si një mbrojtës i flaktë i Veliajt? Arsyeja kryesore mund të jetë ajo se Halim Kosova mund të mos jetë pritur nga e majta si kandidat për Bashkinë e Tiranës.

Befasia e kandidaturës së Kosovës mund ta ketë bërë Ramën, që duke qenë se zotëron postin e kryeministrit, të influencojë në kandidaturën e Veliajt.

Por, mënyra e zgjedhur për ta mbrojtur Veliajn, duket si rrugë pa krye dhe duket se nuk bën qesharak Kosovën, por vetë Ramën. Për ironi të fatit, Rama tashmë e ka marrë në koalicion Nard Ndokën, për të cilin qarkullojnë fraza “filozofike të famshme” dhe në këtë moment Rama zgjedh të bëjë propagandë “filozofiike” në të kundërt, duke goditur kundërshtarët politikë.

E vërteta është se Halim Kosova është një figurë e respektuar nga popullsia dhe thëniet e Ramës as që i afrohen realitetit të figurës së Kosovës. Rama, përmes strategjisë së zgjedhur, përkundrazi duket se i ul vlera vetes dhe Veliajt si kandidat për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Ai po vepron njëlloj sikundër ka vepruar Berisha me Bashën, që e ka mbështetur gjithnjë.

Mbështetja e Berishës për Bashën eci diku dhe është ende e përfolur, por se kjo mbështetje ndikoi negativisht në publik. Rama po vepron njëlloj si paraardhësi i tij, duke mos u marrë realisht me politika për qytetarët, por me fraza me të cilat qeshin edhe adoleshentët.

Po të shohësh me kujdes, edhe komentet në Facebook-un e Ramës, kur poston “thënie” të Kosovës, janë përgjithësisht negative. Një propagandë e tillë, pa baza të qëndrueshme, mund ti kthehet në ‘boomerang’ Ramës. Ajo që dihet me siguri është se Halim Kosova nuk është ai që Rama kërkon të na e paraqesë. /albeu.com/
Shtuar më 30/04/2015, ora 00:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori