Çfarë po hanë shqiptarët?! Pedagogu nxjerr skandalin në supermarkete (FOTO LAJM)

Pedagogu i njohur Ilir Ciko ka ngritur një shqetësim që sipas tij është jetik dhe duhet trajtuar si një problematikë e rëndë në vendin tonë.

Ai ka marrë një rast personal ku ka kuptuar se po mashtrohet nga një rrjet supermarketesh në Shqipëri, produktet e të cilëve merren nga Italia të skaduara ose në prag të skadimit dhe shiten me dyfishin e cmimit në vendin tonë.

"Provova të heq etiketën shqip dhe nën të lexohej çmimi i shitjes në Itali (natyrisht dy herë më lirë) dhe pjesa ku jepej data e skadencës në italisht, ishte HEQUR."-shkruan pedagogu i cili në fund të shkrimit të tij kërkon reagimin e institucioneve përkatëse.

Shkrimi i plotë:

Po nga Conad, kush na mbron?

Gjatë kësaj jave bëri plot bujë mediatike bllokimi nga autoritetet i një sasie bananesh, që sipas lajmeve ishin të kalbura dhe të dëmshme për konsumatorin. Mirë bananet, po nga dyqanet që tregtojnë mbeturina në qendër të Tiranës, kush na mbron? Ja një rast nga Conad, këtë herë nuk po e nxjerr se etiketa përmban çmimin që është sa dyfishi i etiketës së produktit në Itali, këtë gjë Conad e bën thuajse hapur për shumë produkte, tashmë jemi mësuar që në Shqipëri duhet të paguajmë dyfishin e Italisë dhe njerëzit nuk është se kanë shumë zgjedhje ndaj vazhdojnë të pranojnë të paguajnë.

Shqetësimi këtë herë është shumë më i rëndë. Bleva nje kuti me kërpudha, që më duheshin për një gatim. Kur i hapa në shtëpi, vura re se cilësia nuk ishte fort e pranueshme ndaj lexova etiketën në shqip, e cila si edhe për shumë produkte ushqimore të Conad-it kishte DATEN E PAKETIMIT (28 janar në këtë rast) dhe datën TE KONSUMOHET DERI ME (4 shkurt në këtë rast). Provova të heq etiketën shqip dhe nën të lexohej çmimi i shitjes në Itali (natyrisht dy herë më lirë) dhe pjesa ku jepej data e skadencës në italisht, ishte HEQUR.

U riktheva në dyqanin e Conad dhe pashë disa nga paketimet e tjera të kërpudhave. Te gjitha njësoj. Nën etiketën shqip, etiketa në italisht ishte e gërvishtur me kujdes vetëm në pjesën e datës së skadimit, e cila s’mund të lexohej më.
Mendoj se kjo e mbush kupën. S’mjafton që paguajmë dyfish, por na servirin për këtë çmim edhe të fallsifikuara produktet e skaduara të Italisë? Që kjo nuk ndodh me një paketim por me shumë që pashë në dyqan më tregon se nuk është veprim i izoluar i një punonjësi të “pakujdesshëm”, por organizim abuzues e po aq i paligjshëm dhe i rrezikshëm për njerëzit, i të bërit biznes pikërisht në zemër të Tiranës.

Conad përdor marifete të njëjta edhe për produkte të tjera. Ato tavolinat e mbushura me copa djathërash të madhësive të ndryshme kanë të njëjtën etiketë me DATE PAKETIMI/TE KONSUMOHET. Nën zë shumë miq të thonë mos blej nga ato produkte pasi merren nga rrota djathi të skaduara apo në prag skadimi dhe të prera në copa, u vendoset një etiketë në shqip me datë skadimi të mëvonëshme. Dhe në to nuk ka asnjë datë skadimi të vendosur nga prodhuesi që mban përgjegjësi.

C’është kjo DATE PAKETIMI që Conad shpik si i ka qejfi në Shqipëri? A ka njeri a institucion në këtë vend që veç bananeve t’i thotë ndal edhe abuzuesve të tillë që nuk po ngurrojnë të bëjnë çdo gjë, për të cilat në Itali do ishin me kohë prapa hekurave?

UPDATE

Për këtë cështje ka reaguar edhe vetë administratori i rrjetit "Conand" i cili mohon cdo akuzë dhe i konsideron shpifje.

Ai mohon rritjen dhe dyfishimin e cmimeve dhe tregon se në fakt produktet e marr në Itali nuk kanë vendosje të datave të skadencës për shkak të llojit të produktit.

Postimi i Plotë:

"Në përgjigje të shkrimit “Po nga Conad, kush na mbron?”

Parimi kryesor i kompanisë Conad është garantimi në të gjitha hallkat i sigurisë ushqimore për të gjithë gamën e produkteve që tregton. Conad ka sjellë në tregun shqiptar standartet më të larta të sigurisë ushqimore, në zbatim të legjislacionit shqiptar dhe plotësisht konform standarteve më të larta të përcaktuara nga Bashkimi Europian.

Ndjejmë detyrimin për t’ju përgjigjur shkrimit të Z. Ilir Ciko, që bën akuza të rreme dhe të pabazuara, pra shpifje. Ai aludon se në konfeksionin e produktit kërpudha të freskëta, është hequr “data e skadencës në italisht” dhe është vendosur një tjetër datë skadence.

Si fillim, sqarojmë që etiketa është vendosur mbi barkodin italian, dhe jo mbi datën e skadencës.
Legjislacioni Italian për sigurinë ushqimore, ashtu si edhe ai shqiptar, për produktet e sektorit të fruta-perimeve nuk parashikon asnjë obligim ligjor për të vendosur datën e skadencës. Nqs data e skadencës nuk vendoset, si mund të hiqet apo të fshihet? A kanë datë skadence mollët, dardhat, portokallet, patatet, etj, etj…?

Në rastin e kërpudhave të freskëta, duke i konsideruar si një produkt pak i njohur dhe delikat, operatorët tanë kanë parashikuar 7 ditë si afat për konsumimin e tyre. Në fotot e publikuara në shkrim produkti nuk kishte kaluar afatet e konsumimit.

Z.Ciko, gjithashtu, bën aludime për datat e skadencës së djathrave të ndryshëm që tregtohen në rrjetin tonë, të cilët priten dhe konfeksionohen në forma të vogla. Bazuar në të gjitha standartet e sigurisë së Conad-it, mbi gjurmueshmërinë e produktit, çdo konfeksionim i tillë etiketohet duke evidentuar datën e konfeksionimit, afatin e konsumimit dhe loton e prodhimit. Conad është i vetmi operator në tregun shqiptar që garanton këtë sistem sigurie, sidomos për produktet e djathit.

Në shkrim aludohet edhe për çmimet abuzive të aplikuara nga ne. Për transparencë të plotë përkundrejt konsumatorëve tanë, asnjëherë Conad nuk ka arritur normë fitimi mbi 5% (plotësisht e verifikueshme në bilancet e publikuara në Qëndrën Kombëtare të Biznesit). Për produktin kërpudhë e freskët, që i referohet Z.Ciko, çmimi në etiketën italiane, është çmim oferte për tregun italian, dhe nuk është çmimi jonë i blerjes.
Në lidhje me çmimet, theksojmë gjithashtu se, për të sjellë në tregun shqiptar produktet më cilësore italiane, ne kemi kosto suplementare siç janë kostot e transportit, dogana, dhe TVSH fikse 20% mbi të gjitha produktet ushqimore, përkundrejt TVSH-së 4%-10% për të njëjtat produkte në Itali.

Për këtë publikim, pas shqyrtimeve të detajuara, grupi Conad ka nisur procedim penal përkundrejt Z.Ilir Ciko, për akuza të rreme dhe shpifje, të cilat dëmtojnë imazhin e kompanisë sonë Conad, lider në tregun ushqimor.
/albeu.com/
Shtuar më 02/02/2019, ora 23:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori