Çfarë diskutuan? Ambasadorja e SHBA-së takon Ramën, Metën dhe Bashën
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka takuar ditën e sotme kryeministrin Rama, presidentin Meta dhe kreun e opozitës, Lulzim Basha.

Përmes një deklarate për mediat, ambasadorja ka zbardhur arsyet e takimeve me krerët e politikës në vend. Yuri Kim bën me dije se takimet u zhvilluan për të diskutuar në lidhje me konferencën e donatorëve.

Sipas saj, ata kanë diskutuar edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë procesit të rindërtimit.

“Sot u takova me Kryeministrin Edi Rama, Presidentin Ilir Meta dhe Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit dhe pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara. Për sa i përket specifikisht, konferencës së donatorëve në Bruksel, ne besojmë se ajo pasqyron solidaritetin, mbështetjen dhe dëshirën e komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar popullin shqiptar në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit.

Diskutuam gjithashtu edhe për pritshmëritë për transparencë dhe llogaridhënie përgjatë gjithë këtij procesi.

Përveç konferencës së donatorëve, diskutova edhe për hapat e rëndësishëm që Shqipëria duhet të ndërmarrë në javët e muajt e ardhshëm, duke treguar pjekuri, respekt për institucionet dhe besim në proceset demokratike.

Presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”, tha ajo.
Shtuar më 19/02/2020, ora 19:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori