CEZ të kompensojë qytetarët për mbifaturimet
Kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta, i kërkoi të mërkurën kompanisë CEZ që të kompensojë qytetarët për mbifaturimet. Duke bërë prezent raportin vjetor të ERE-s për vitin 2010 në komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, Nepravishta theksoi se kompensimi i qytetarëve nga kompania CEZ duhet të bëhet sa më parë.

Sipas këtij raporti, gjatë vitit të shkuar CEZ shpërndarje nuk ka qenë korrekt në faturimin e energjisë, duke abuzuar ndjeshëm me sasinë e konsumuar.

"Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, operatori i shpërndarjes, duke përdorur termat dëm ekonomik dhe energji e pamatur në 20 mijë fatura të prera për këtë periudhë, ka penalizuar me 4 mijë kilovat orë energji konsumatorët familjarë dhe me 20 mijë kilovat orë energji ata jo familjarë", nënvizoi kreu i Entit Rregullator të Energjisë Bujar Nepravishta.

Duke e cilësuar si pozitiv vitin 2010 për prodhimin e energjisë, Nepravishta theksoi se gjatë këtij viti u prodhua 7.7 miliard kë/orë, ndërsa shtoi se janë siguruar 120 milionë euro nga shitja e energjisë.
Shtuar më 16/03/2011, ora 19:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori